Aeroporti i vetëm në Shqipëri Tirana International Aeroport nuk zbaton vendimin e gjykatës. Bëhet fjalë për subjektin Albania Duty Free Distribution e cila ka fituar çështjen në gjykatën e Tiranës për konfliktin e lindur me TIA-n për përdorimin e ambienteve me qira brenda saj me kushte ‘Duty Free’ ndërkohë që aktiviteti i saj siç shihet dhe nga fotot e siguruara nga News24 është i pezulluar.

Por si ka lindur ky konflikt mes palëve? Më datën 27.08.2019 kompanisë Albania Duty Free Distribution i ka mbaruar kontrata 5-vjeçare e qirasë me aeroportin e Rinasit dhe ky i fundit ka hapur tender të ri për subjekte të tjera. Njëkohësisht kompanisë Albania Duty Free Distribution i është rinovuar automatikisht nga ministria e financave licenca për të ushtruar aktivitetin në po të njëjtin ambient deri në vitin 2024. Pikërisht këtu ka lindur edhe konflikti mes palëve për të cilën çështja ka shkuar në gjykatë. Albania Duty Free Distributin pretendon se TIA i ka pezulluar padrejtësisht aktivitetin duke shkelur ligjet në fuqi për kodin doganorë dhe duke i shkaktuar dëme financiare me mbylljen e biznesit.

Në bazë të këtyre pretendimeve nga subjekti gjykata i jep të drejtë. Në bazë të vendimit të gjykatës e Tiranës të datës 07.08.2019 te disponuar nga News 24 sqarohet se siç e parashikon edhe kodi doganor licenca i është rinovuar në mënyrë automatike pasi ministria e financave nuk ka njoftuar 60 ditë përpara përfundimit të afatit njoftimin për mosrinovim të saj.

Ndërkohë gjykata vlerëson se ky rinovim i licencës rezulton se i është bërë subjektit Albania Duty Free Distribution për të njëjtin ambient dhe për të njëjtën sipërfaqe sipas licencës ekzistuese pra në sallën e transitit Rinas për të cilën është bashkangjitur edhe planimetria dhe planvendosja e saj.

Albania Duty Free Distribution akuzon TIA se nuk e ka njoftuar për rinovimin të marrëveshjes së koncesionit të Duty Free duke hapur tender të ri në faqen online të aeroportit. Ky fakt sipas subjektit i ka shkaktuar një dëm real të konsiderueshëm financiar. Për këtë pretendim gjykata në vendimin e saj vlerëson se edhe nëse TIA do të përzgjidhte një tjetër operator për të ushtruar aktivitetin e Duty Free përmes një tenderi më parë duhet të zgjidhte çështjen me subjektin ekzistues.

Operatorit tjetër mund ti jap një ambient tjetër por jo ambientin ekzistues dhe për të cilin shoqëria ADFD shpk ka të rinovuar licencën për vazhdimin e aktivitetit tregtarë Duty Free për të njëjtin ambient dhe sipërfaqe ekzistuese, pasi referuar licencës dhe planvendosjes së gentplanit që e shoqërojnë atë ambientet që i janë dhënë kërkuesit duhet të jenë në përdorim ekskluziv të tij.

Në të kundërt gjykata vendos që TIA duhet të dëmshpërblej subjektin ADFD shpk për dëmin e shkaktuar si pasojë e mosrilidhjes së kontratës .Por edhe pse me një vendim gjykatë në dorë TIA nuk e ka lejuar që kompania të ushtrojë aktivitetin e saj në aeroport, madje duke mos lejuar as përmbarimin për të ekzekutuar këtë vendim.

Për të marr një përgjigje mbi pretendimet e subjektit ADFD shpk News24 kontaktoi edhe me zyrën e shtypit të aeroportit të Rinasit nga i cili ka marr këtë përgjigje.
“Tirana International Airport (TIA) vlerëson çdo pyetje të medias, por duke konsideruar faktin se çështja e Duty Free-së është ende në proces, TIA vlerëson se informacione të mëtejshme mund t’i bëjë me dije në një moment të dytë”.

Çështja që po mbetet ende e pazgjidhur prej 24 ditësh në aeroportin e vetëm të Shqipërisë atë të Rinasit ka penalizuar pasagjerët të cilët nuk mund të kryejnë blerje të produkteve në zonën ‘Duty Free’.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb