TIRANE

Ambasada Amerikane ka reaguar në lidhje me hapësirën Pa Taksë në Aeroportin Nënë Tereza në Tiranë, ndërsa ngre në fokus shqetësimin se investuesit e huaj përballen me sfida në Shqipëri.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ ambasada pohon se klima aktuale e biznesit në vend është zhgënjyese, pasi sipas saj frenon ata që të investojnë.

REAGIMI I AMBASADËS SË SHBA
Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme.

Diten e sotme Gjykata Administrative vendosi të pranojë padinë e shoqërisë ADFD për zonën e dyqaneve “Duty free” në Rinas. Me këtë vendim Gjykata rrëzoi urdhrin e Ministrisë së Financave që i anuloi lejen e shfrytëzimit për 5 vjet të tjera të Duty Free në Rinas nga ADFD. Që prej korrikut të vitit të kaluar, kur nënshkroi dhe kontratën me Tirana International Airport (TIA) shoqërinë që administron aeroportin e Tiranës, kompania amerikane nuk ka mundur të marrë në zotërim zonën e dyqaneve “duty free”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb