Pas samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të takohen edhe një herë gjatë kësaj jave, ku temë qendrore e këtij takimi pritet të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Takimi i 6 qershorit është konfirmuar edhe nga kabineti i kancelares gjermane.

Sipas gazetarit të Deutsche Welle, Bahri Cani, takimi Merkel- Haradinaj, që do të mbahet më 6 qershor në Berlin, do të zgjasë rreth një orë, ku temë diskutimi, përveç dialogut, do të jetë edhe taksa 100% si dhe përgatitjet për Samitin e Parisit, i cili do të mbahet më 1 korrik të këtij viti.

“Sipas informacioneve ky takim do të zgjasë një orë përafërsisht dhe temë kryesore do të jetë dialogu Kosovë- Serbi dhe raportet Kosovë-Gjermani si dhe përgatitjet për Samitin e Parisit, që do të mbahet me 1 korrik”, tha ai.

“Pamë edhe një delegacion francezo- gjerman në vizitë në Prishtinë pasi ata nuk duan që çdo gjë t’ia lënë rastit, por të përgatiten më mirë për këtë konferencë. Merkel është angazhuar edhe vet për zgjidhjen e problemeve në Ballkan. Merkel do të kërkojë shpjegime shtesë për mundësinë e heqjes së taksave ndaj Serbisë. Takimi do të mbahet në dyer të mbyllura dhe nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për shtyp”, përfundoi Cani.

Ndëraq kancelaria gjermane tashmë ka publikuar njoftimin zyrtar rreth këtij takimi. Aty thuhet se do të flasin raportet mes Gjermanisë e Kosovës, por edhe për raportet e Kosovës me Serbinë.

“Me datën gjashtë rreth kohës së drekës, Kancelarja Merkel pret Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, në hapësirat e Kancelarisë. Përmbajtja e takimit të punës janë marrëdhëniet bilaterale mes Republikë së Kosovës dhe Gjermanisë, çështjet e Politikes se Jashtme me theks të veçantë procesi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, shkruan në njoftimin e kancelares gjermane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb