Muajt e parë të vitit 2019 shënojnë një rritje të numrit të azilkërkuesve në Bashkimin Europian. Mijëra qytetarë nga Venezuela, Kolumbia por edhe nga Shqipëria kanë kërkuar azil në BE, shkruan sot Deutsche Welle.


Numri i azilkërkuesve të rinj në Bashkimin Europian është rritur ndjeshëm në muajt e parë të vitit 2019, shkruan agjencia e lajmeve dpa. Kjo vjen si pasojë e krizës në Venezuelë. Sistemi paralajmërues i BE që jep të dhënat për katër muajt e parë të këtij viti, shënon, se në këtë hapësirë kohore janë regjistruar 206.500 kërkesa për azil, krahasuar me 179.000 në të njëjtën kohë vitin e kaluar. Të dhënat i ka publikuar autoriteti europian i azilit, EASO.


Shqiptarët pas venezuelanëve dhe kolumbianëve
Në të njëjtën kohë është rritur numri i kërkesave për azil nga shtete, qytetarët e të cilave hyjnë në zonën Shengen pa vizë. Mes tyre Venezuela, Kolumbia, Shqipëria dhe Gjeorgjia. Venezuela e goditur rëndë nga kriza ekonomike renditej në mars pas Sirisë dhe para Afganistanit ndër vendet kryesore nga vijnë azilkërkues që kërkojnë ndihmë. Sipas raportimit të “Funkemedien- Gruppe” numri i azilkërkuesve nga Venezuela është rritur me 121% në katër muajt e këtij viti. /DW/