TIRANE- Dy anëtarë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, kanë deklaruar sot se nuk do të marrin pjesë në mbledhjet e ardhshme të këshillit. Sami Neza dhe Suela Musta kanë qenë sot të pranishëm në mbledhjen informuese të Këshillit ku janë shprehur se do të bojkotojnë AMA-n për shkak të cenimit të integritetit të këtij Këshilli.

“Gjykojmë se pjesëmarrja jonë në këshill nuk mund të kthehet në alibi për paligjshmërinë e krijuar përgjatë procesit të zgjedhjes së dy anëtarëve të rinj e më pas të kryetarit të AMA. Kjo paligjshmëri startoi me procedurat e përzgjedhjes në komision në shkelje të neneve 9 dhe 10 të ligjit 97/2013 “për mediat audio-vizive në Republikën e Shqipërisë”.
Në një shtet të së drejtës me institucione te pavarura që burojnë nga sovrani dhe marrin fuqi prej tij, çdo paligjshmëri e krijuar përgjatë procedurave parlamentare, si në rastin e AMA, cenon integritetin e një institucioni të pavarur”, janë shprehur Neza dhe Musta.

Duke justifikuar bojkotin, dy anëtarët e Këshillit kanë deklaruar se ‘si një institucion rregullator për mediat elektronike, AMA e ka të vështirë të kryejë veprimtarinë, nën drejtimin e një këshilli me kontestim të qartë ligjor dhe etik’.

“Mediat në shoqëritë e lira janë një pushtet me fuqi avantazhuese dhe nuk mund të monitorohen e aq më pak të mbështeten nga një autoritet i cenuar në legjitimitetin e tij përmes procedurave ekstraligjore. Në këto kushte të cenimit ligjor ne pezullojmë pjesëmarrjen tonë për sa kohë nuk është kthyer legjitimiteti i këshillit të AMA-s dhe në përpjekje për të sensibilizuar operatorët lidhur me vendimmarrjet në vijim të këtij këshilli”, thanë Neza dhe Musta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: