NGA AURORA KOROMANI

TIRANË- Dy deputetët, Mark Frroku dhe Tom Doshi do e kalojnë natën në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Të paktën për 48 orë, ish-deputeti socialist dhe deputeti kristiandemokrat do të qëndrojnë në dy qeli të ndara nga njëri-tjetri. Sipas burimeve pranë uniformave blu, deputeti Doshi dhe Frroku janë vendosur në dy dhoma të veçanta në kat të parë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilat quhen edhe qelia “VIP”, aty ku pak kohë më parë u mbajt edhe ish-guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani.
DHOMAT E PARABURGIMIT
Burime të sigurta për “Gazeta Shqiptare” kanë sqaruar se pas shoqërimit të ish-deputetit socialist, Tom Doshi në ambientet e policisë së kryeqytetit, ai është shfaqur shumë i qetë. Madje, mësohet se pas shoqërimit të Doshit në qelinë “VIP”, ai u ka thënë efektivëve të policisë që t’i hiqnin prangat dhe të vazhdonin punën e tyre. Sipas të njëjtave burime, deputeti i Shkodrës ka shfaqur pak probleme shëndetësore për shkak të luhatjeve të tensionit, por nuk mësohet që të ketë pasur ndonjë kërkesë të veçantë. Avokatët e tij shprehen se ai duhej të ishte në regjim shtrati, por për shkak të zhvillimeve të fundit iu desh që të ngrihej nga shtrati. Mësohet se deri në orën 21:00, Doshi nuk ka takuar njeri përveç avokatëve të tij, por më pas është lejuar që të takohet me familjarët dhe të afërmit e tij, të cilët i kanë çuar ushqime dhe rroba. Ngjitur me qelinë në të cilën ndodhet Doshi, është ish-shoku i tij i ngushtë, deputeti kristiandemokrat, Mark Frroku. Burime pranë uniformave blu shtojnë se ky i fundit në momentin që e kanë shoqëruar për në qelinë e tij, ai nuk ka qenë shumë i qetë. Nuk mësohet që të ketë bërë fjalë me njeri, por është shfaqur i tensionuar dhe i shqetësuar. Ndërkohë, mësohet se as deputeti Frroku nuk ka pasur ndonjë kërkesë të veçantë gjatë qëndrimit të tij në polici. Të dy deputetët nuk kanë dashur që të konsumojnë asgjë për darkë mbrëmjen e djeshme, edhe pse iu është ofruar ushqim nga Policia e Tiranës.
SHOQËRIMI
Rreth orës 16:30 minuta të ditës së djeshme është bërë shoqërimi i deputetit Mark Frroku në Policinë e Tiranës. Mësohet se ai është shoqëruar në polici me një makinë “Golf 5” dhe se për ndalimin e tij janë angazhuar 7 efektivë policie. Madje, burime policore shtojnë se në momentin e ndalimit Frroku ka qenë i qetë dhe se u ka thënë policëve që po i priste. Mësohet se më pas, deputeti kristiandemokrat është dërguar në ambientet e Policisë së Tiranës ku ka qëndruar shumë pak, pasi i është dashur që të kthehej sërish në banesën e tij me kërkesë të policisë. Kjo, pasi gjatë kontrollit në banesën e deputetit Frroku, uniformat blu kanë gjetur një kasafortë, kodin e së cilës e dinte vetëm deputeti. Mësohet se rreth orës 18:30 deputeti kristian demokrat është rikthyer sërish në polici, ndërkohë që dokumentet dhe sendet e tjera që janë gjetur në kasafortë do t`i nënshtrohen një verifikimi për të parë nëse ndonjë dokument mund të ketë lidhje me çështjen “Doshi” apo jo. Në kohën që ndodhnin të gjitha këto histori, në shtëpinë e deputetit Tom Doshi kishin mbërritur efektivët e Policisë së Tiranës, të cilët pas një kontrolli të banesës së tij që ndodhet pranë zonës së Xhamllikut në kryeqytet, kanë shoqëruar deputetin në polici. Doshi ka dalë nga banesa e tij rreth orës 17:20 minuta, ndërkohë që në shtëpinë e tij është gjetur një laptop dhe një usb, të cilat do të kontrollohen për të parë nëse brenda tyre ka ndonjë provë tjetër lidhur me çështjen e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: