Partizani arriti edhe një herë tjetër një fitore sakrifice kundër Egnatias, njëjtë siç e mposhti edhe në gjysmëfinalen e Kupës.
Një penallti e fituar nga Kote dhe e shndërruar në gol nga Keko u dha të kuqve tri pikë shumë të rëndësishme, që mbajnë pas Elbasanin me vetëm një pikë diferencë, kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi. Misioni vazhdon dhe të shtunën të kuqtë zhvillojnë një betejë po aq të rëndësishmë në Ballsh kundër Bylisit.
KRAHASIMI ME VJET – Nëse i bëjmë një krahasim këtij Partizani me atë të vjetshmin, mund të themi se shifrat e nxjerrin më poshtë. Këtë sezon, të kuqtë kanë grumbulluar 50 pikë pas 34 javësh, duke mos arritur të ndjekë hapin e tri skuadrave mbi të në renditje, por edhe duke vënë në rrezik një vend në finalet katërshe në fund. Vitin e shkuar, pas 34 javësh, skuadra e kuqe kishte grumbulluar shtatë pikë më shumë se aktualisht, 57. “Demat”, në atë kohë të drejtuar nga Orges Shehi, renditeshin në vendin e tretë dhe ishin të shkëputur me dhjetë pikë nga vendi i katërt, që mbahej nga Dinamo. Nga ana tjetër, ishin vetëm dy pikë larg Egnatias kryesuese, kundrejt 8 pikëve diferencë që kanë aktualisht me rrogozhinasit. Vjet skuadra kishte realizuar 46 gola, plot 10 më shumë se sivjet, teksa ka pësuar 32 herë, tre më shumë se në sezonin 2023-2024.
DY EPOKA – Kështu mund ta kategorizojmë këtë sezon të Partizanit, që në pjesën e parë ishte një skuadër shumë e fortë dhe mbante vendin e parë të renditjes, ndërsa pas merkatos së janarit skuadra hyri në kolaps për shkak të largimeve dhe afrimeve joefikase, duke prodhuar një seri rezultatesh negative.
GUSHT-DHJETOR 2024 – Le t’u bëjmë një bilanc rezultateve të Partizanit në gjysmën e parë të sezonit në periudhën gusht-dhjetor 2024, krahasuar me shifrat e arritura nga janari e deri më tani në prill. Në gjysmën e parë të sezonit të kuqtë luajtën 19 javë, duke e mbyllur vitin 2024 në vendin e dytë, vetëm një pikë larg Dinamos kryesuese. Në ato ndeshje, e drejtuar nga Abilaliaj (2 ndeshje) dhe Veselinoviç (18 ndeshje), skuadra grumbullonte 33 pikë në total me një mesatare prej 1.74 pikësh për ndeshje. Në këtë periudhë të kuqtë shquheshin edhe për mbrojtjen “e hekurt”, pasi merrnin vetëm 15 gola, kundrejt 25 të shënuar. Kujtojmë edhe barazimet e shpeshta, që e ndihmonin ish-trajnerin të krenohej për numrin e paktë të humbjeve, vetëm dy.
JANAR-PRILL 2025 – Me të hyrë viti i ri, Partizani nisi rënien. Largimet e katër titullarëve fiks dhe afrimet pa kriter cilësie ndikuan për keq menjëherë dhe rezultatet negative të arritura sollën shkarkimin e Veselinoviç. Më pas, skuadrën për pak ndeshje e mori në drejtim drejtori Abilaliaj, për tu larguar më pas dhe liruar vendin për Skënder Gegën. Por ndërrimi i trajnerëve nuk është se pati ndonjë ndikim në total, pasi pas 15 javësh të luajtura në vitin 2024, skuadra ka humbur dy vende në renditje, duke u renditur e katërta, vend për të cilin duhet të luftojë “dhëmb për dhëmb” me Elbasanin deri në fund. Në total, në vitin 2025, Partizani ka marrë vetëm 17 pikë, me një mesatare prej 1.14 pikësh për ndeshje. Shqetësues është numri i humbjeve, plot 6 të tilla, një pjesë e të cilave kundër rivalëve direkt. Në përfundim të kësaj, mund të themi se pikët e mbledhura në pjesën e parë të sezonit kanë rol thelbësor që Partizani luan për katërshen dhe jo për mbijetesën.