Mendoj që problemi që nxori në pah TikTok në Shqipëri hapi një diskutim më të gjerë publik se sa mbyllja apo jo e një rrjeti social. Besoj se ia nisëm nga shqetësimi i parë i pavëmendjes së shoqërise sonë ndaj promovimit të fenomeneve negative, promovimit të dhunës, promovimit të imoralitetit, promovimit të antivlerës, promovimit të mashtrimit e shumëçka tjetër që shoqëria jonë nuk i kishte kaq të ekspozuara në këtë masë deri sa u pa dukshëm në këtë rrjet social.

U ngritëm të mbrojmë rininë tonë kryesisht fëmijët që ishin dhe janë shumë të ekspozuar dhe pothuajse të pa mbrojtur në këtë rrjet social.

Atë përmbajtje që kemi parë në atë rrjet social nuk mundemi t’i përshkruajmë me fjalë, dhe nuk dimë as çfarë emri t’i vëmë, mbetëm të shokuar që ekzistonin ato prototipa, fenomene apo individë të panjohur me parë që mund të bëjnë veprime të tilla me, fëmijët e tyre, nënat e tyre, prindërit e tyre, motrat e tyre e shumë raste që në Shqipëri nuk ishin dëgjuar.

Mendimi im rreth kësaj teme diskutimi është përtej populizmit politik që mund të përdoret, përtej keqpërdorimit që mund të vijë në grupe të ndryshme interesi, unë personalisht por dhe pothuajse të gjithë të njohurit e mi që më rrethojnë jemi unanimisht të mbyllet, dhe mirë u bë që doli si lajm.

Por ajo çka nuk më ngroh nga e gjithë lajmi populist është mekanizmi që po përdoret, nuk jemi njohur cilat janë hapat që do ndiqen për mbyllje, konsultimi me prindërit nuk është mekanizëm është thjesht një konsultim, nga ajo pak dimë që kemi është që platforma të tilla nuk mbyllen me konsultime apo me deklarata nga politika por nga Vendimet e Gjykatave, pra ngritja e një padie, nxjerrja e një vendimi dhe ekzekutimi i këtij vendimi, dhe nuk besoj se ja nisim me një deklaratë si fillim.

Uroj dhe shpresoj që mbyllja të jetë konform rregullave ndërkombëtare dhe mos të na kthehet kjo çështje në bumerang dhe të jemi ne viktima si popull. Të tregohet maturi dhe të ndërtohet një precedent i denjë që dhe rrjetet e tjera sociale të dinë si të sillen me shoqerinë shqiptare.

*Ekspert kibernetik

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb