Që të fitosh titullin, duhet edhe një sulmues i mirëfilltë për ta dërguar topin në rrjetë. Me sa duket, Partizanit i mungon ky tip lojtari, ndonëse duhet pranuar se skuadra e trajnerit Skënder Gega po bën shumë mirë deri në këto momente. Titulli mund të fitohet edhe pa “pykën”, rrugë të cilën po mundohet që ta realizojnë edhe “demat”. Por, për të qenë të sigurt në realizimin e këtij misioni, në ambientin sportiv, kryesisht nga ish-të kuqë, po amplifikohet gjetja e një bomberi për Partizanin që në merkaton e janarit.

Kjo gjë pranohet edhe nga vetë lojtarët, stafi dhe drejtuesit, por duan që të mos e vënë ekipin nën presion dhe të marrin më të mirën. Gjithsesi, mësohet se klubi ka nisur që t’i lëvizë “gurët” për të plotësuar këtë boshllëk në merkaton e dimrit. Fillimisht po shqyrtohet pista vendaëse, për të gjetur një alternativë të duhur, që nuk do ta kishte të vështirë që të përshtatej me futbollin e Superiores.

“Panorama Sport” ka mësuar se Partizani ka nisur monitorimin e situatës së dy gjigantëve të Superiores, Vasil Shkurtajn e Luftëtarit dhe Majkëll Ngonë e Tiranës. Sulmuesi i gjirokastritëve e shprehu vetë pas ndeshjes me Flamurtarin që kërkon të transferohet në një ekip që lufton për kampion dhe Partizani mund të jetë një opsion në janar. Pozitiv është fakti se trajneri Gega e njeh mirë shtatlartin vlonjat që ka lindur në Greqi.

Madje, ka qenë Gega ai që e afroi Shkurtajn tek ekipi Kombëtar U-21, duke qenë një nga pikat referuese të kuqezinjve. Por, të kuqtë pëlqejnë edhe anglezin e Tiranës, i cili te bardheblutë po rezulton problematik. Majkëll Ngo shikohet si “bast” për t’u fituar apo një alternativë që mund t’u bëjë punë. Mësohet se “demat” kanë nisur të mbledhin informacion për situatën e anglezit, që nëse largohet nga rivalët historikë, janë gati ta rrëmbejnë menjëherë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb