TIRANË – Të goditurit e parë të Portalit Online “Stop Korrupsionit”, mësuesit e shkarkuar të shkollës “Dhora Leka” në Tiranë, kanë rrëfyer sot në “News 24”, të vërtetën e akuzave ndaj tyre, që çuan në largimin nga detyrat që mbanin.

Ish-nëndrejtoresha e kësaj shkolle, Gentiana Hoxhallari, sëbashku me mësuesin Kristaq Viso, akuzuesin e saj, por i shkarkuar njesoj si dhe ajo pas denoncimit, ishin në qëndër të emisionit “Me zemër të hapur”. Ata ishin ulur përballë njeri – tjetrit dhe kanë debatuar dhe replikuar ashpër për akuzat e ndësjellta.

Znj.Hoxhallari ka theksuar gjatë fjalës së saj se shkak për shkarkimin e saj ishte bërë ankesa e vetëm 5 mësuesve të kësaj shkolle, të cilët nuk pranonin rregullat e drejtuesve për t’i qëndruar korrektë, mësimit. Por, ajo është kundërshtuar nga z.Viso, i cili ka vënë dukje se drejtueset e kësaj shkolle, znj.Hoxhallari, por edhe ish-drejtoresha Brahimi, kanë bërë një mori shkeljesh, si fyerje ndaj stafit, moszhvillim të orëve të mësimit sipas programit, gafa në regjistra, manipulim deri edhe për zgjedhjen e bordit të shkollës.

Lidhur me akuzat e hedhura ndaj tij për bluzat që nxënësit mbanin, me portretin e tij të stampuar, që u bënë shkak për shkarkimin e tij nga detyra, Viso tha se ato ishin fryt i një çmimi të fituar në Olimpiadë nga klasa e tij dhe ishin me pëlqimin e prindërve. Në to nuk manifestohej asnjë lloj besimi fetar apo përkatësie politike.

Në shkollën “Dhora Leka” në Tiranë, që nga viti 2003 kur u hap, janë ndërruar 11 drejtues, fakt për të cilin dy ish-mësuesit ndanin opinione të kundërta.

ISH-NENDREJTORESHA GENTIANA HOXHALLARI

Ish-nëndrejtoresha Gentiana Hoxhallari tha në emision se “shkarkimi im u bë për fajin e 5 mësuesve të kësaj shkolle dhe jo të të gjithëve. Ajo shkollë i ka pasur problemet që në 2003-in kur është bërë dhe janë vetëm ata 5 mësues problematikë dhe prototipë, në vite, që kanë bërë denoncimin ndaj drejtuesve jo vetëm në portal, por edhe në MAS.

Hoxhallari tha se lajmin e shkarkimit të saj dhe të drejtores e mësoi nga mediat nëpërmjet Facebook. “Lajmin e mora nga mediat në Fb, kur nga Kryeministri ishte paraqitur se shkarkohet drejtoresha e shkollës “Dhora Leka” për akte korruptive. Pas emrit të saj, isha e përfshirë dhe unë. Por, ndaj meje, akuza e parë është bërë në 14 maj 2014, në një mbledhje që u bë në shkollën tonë me pjesëmarrjen e ish-drejtoreshës së arsimit, Mimoza Kuqit. Ajo mbledhje u bë për shkak të situatave të krijuara në shkollë, ku kishte mësues që nuk respektonin orarin e punës, që ishin mësuar t’i vendosnin vetë rregullat. Sëbashku me Mira Ibrahimin, drejtoreshën, që u emërua në janar 2014, ne kishim një platformë sëbashku. Përzgjedhja jonë u bë konform të gjitha rregullave të MAS; ne nuk ishim definitive, por të komanduara deri në momentin e konkurrimit.”

Lidhur me mësuesin Kristaq Viso, Hoxhallari tha se ai ishte përdorur nga 5 mësuesit dhe e kishte akuzuar edhe se kishte shitur libra jashtëshkollorë për nxënësit. Ajo insistoi në faktin se rregullat që kishin vendosur në këtë shkollë, për të mos lënë mësimin për kafe apo kërkesa për të zhvilluar me korrektësi orët e mësimit, ishin konsideruar nga mësuesit si kërcënime, si fyerje. Mësuesit në fjalë, duke qënë të vjetër, ishin në gjendje të manipulonin dhe komunitetin e prindërve.

“Mësues Kristaq Visos dua t’i them se atë shkarkim e ka merituar që në fillim, – theksoi ish-Nëndrejtoresha. – Ai vendim është shumë i rregullt, sepse kam qënë unë ajo që ia kam vënë në dukje, problemet. Do doja t’i bëja një pyetje: Po tani, a janë kënaqur ata mësues që të përdorën që ngele pa punë dhe me një rrogë në familje?!”

ISH-MESUESI I KIMISE KRISTAQ VISO

“Në radhë të parë unë do të flas në emër të mësuesve të shkollës, se jam ndër më të vjetrit, – tha Viso.- Ne e gjetëm atë shkollë pa karrike, i lamë baltën dhe e sollëm në këtë gjendje që është sot. Së dyti, do të flas për Gentiana Hoxhallarin për periudhën kur ajo ka ardhur në këtë shkollë. Ndryshe nga çfarë ajo tha, mësuesit në atë shkollë nuk janë shkarkuar, por kanë kaluar në detyra të tjera. Pra, shkolla “Dhora Leka” është përdorur si trampolinë për t’i kaluar në shkolla të tjera.

Në 12 vjet, kjo shkollë ka ndërruar 11 drejtues. Edhe sot aty ka mësues provizorë, që janë përdorur si spiunë. Po të shohësh regjistrat, janë bërë edhe gafa. Madje, që me fillimin e vitit shkollor, është hequr një regjistër.

Në datën 6 shkurt 2014 ka ardhur drejtoresha dhe në 14 shkurt 2014, nëndrejtoresha. Por, imagjinoni se në shkollën tonë nuk është bërë as analiza vjetore, mendoni se çfarë pune është bërë aty. Deri në 14 maj 2014 nuk ka pasur asnjë konflikt ndërmjet nesh. Drejtoresha më kërkoi ndihmë dhe unë e ndihmova. por, mbas shumë ankesave nga prindërit e mësuesit, u bë dhe mbledhja, se u bënë të padurueshme ofendimet e Gentianes ndaj mësuesve: Jeni plehra, do t’ju bëj lavazh truri etj etj.

Kemi bërë denoncim në Drejtorinë Arsimore dhe neve duhet të na kthehej përgjigje. Unë kam ngritur problemin e klasës sime, ku Gentiana jepte mësim. Rezultonte që në 3 muaj, kishte dhënë vetëm dy orë mësim. Së dyti, zgjedhja e bordit të shkollës u bë me manipulim dhe Gentiana ka shkuar mësues më mësues e u ka kërkuar votën. Me të ardhur si drejtues, këto e shkrinë bordin. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj problemi para ardhjes së këtyre drejtuesve,” tha ai.

PORTETI IM NE BLUZA, PASI NXENESIT FITUAN NJE OLIMPIADE

Lidhur me bluzat e veshura nga nxënësit e tij, që çuan në shkarkimin e mësuesit Kristaq Viso, ai tha: “E vërteta e këtyre bluzave është shkruar në portal: Mësuesi u shpërndan nxënësve bluza me logo të PDR-së, në 2011-ën, por që është një parti që sot nuk ekziston më, – tha Viso. Ndërsa tek fotografia e dytë, këto janë bluza të falura në një Olimpiadë. Unë jam mësuesi i kësaj klase, që kam arritur një çmim botëror dhe për këtë kanë qënë dakord prindërit.”

(ar.sh/BalkanWeb)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb