VLORE – Policia kufitare në Vlorë ndaloi mbrëmjen e djeshme një gomone, që dyshohet se do transportonte drogë drejt Italisë. Mësohet se gomonia u kap midis Dhërmiut dhe Himarës, në bordin e së cilës ndodheshin dy italiane, përkatësisht 49 dhe 40 vjeç.

Sipas burimeve nga policia e Vlorës, gomonia 8 metra e gjatë me motor 250 kuaj fuqi, po i drejtohej gjirit të Gjipesë, aty ku dyshohet se do të ngarkonte dhe drogën, me qëllim transportimin drejt Italisë.

Mjeti ishte nisur nga Bridizi, por u bllokua në breg 1 milje larg gjirit të Gjipesë në Vlorë. Policia kufitare në Vlorë ka shoqëruar dy italianët, të cilët po merren në pyetje. Mësohet se ata kanë deklaruar se kishin ardhur nga Greqia për të shkuar në Itali, në kuadër të një udhëtimi turistik. Sipas policisë, italianët nga Brindizi rezultojnë persona me precedent kriminal në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike në shtetin italian.

Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë mjet lundrues nuk është konstatuar asnjë send apo material i kundraligjshëm.

NJOFTIMI I POLICISE:
Policia Kufitare e Vlorës në bashkëpunim me Policinë Vendore Vlorë, Repartin Delta dhe Guardia di Finanza, në kuadër të planit të masave për të parandaluar dhe goditur trafikun e lëndëve narkotike nëpërmjet kontrollit ujor dhe tokësor, kanë bërë të mundur konstatimin e një mjeti lundrues rreth orës 22:02 dhe bllokimin e tij në Gjirin e Gjipeut, rreth 0,5 milje larg bregut, të llojit “Gomone” me një motor mërkuri 250 hp, 8 m e gjatë dhe 2 m e gjerë.

Në bordin e këtij mjeti lundrues ndodheshin dy shtetas italianë:
– G.M., 49 vjeç, banues në Brindisi.
– M.Ch., 40 vjeç, banues në Brindisi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë mjet lundrues nuk është konstatuar asnjë send apo material i kundraligjshëm.

Dy shtetasit italianë janë persona me precedent kriminal në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike në shtetin Italian pasi gjatë hetimeve të kryera nga Policia e Vlorë, ka rezultuar se këta shtetas janë pajisur me Vendim të Gjykatës Italiane për të mos dalë nga shteti i tyre.

G.M. dhe M.Ch. janë shoqëruar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe më pas janë marrë nga Policia Kufitare me qëllim kryerjen e veprimeve për tu proceduar për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufijve”.

Policia vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e hyrjes së këtij mjeti lundrues në ujërat territoriale të vendit tonë.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: