Nga: Klodiana Haxhiaj*

DURRES- Zbardhja e tabulateve telefonike për 2 motrat e zhdukura në Durrës, 18 dhe 14 vjeçe, kanë zbuluar se ato kanë biseduar me një femër pak momente para se të arratiseshin nga shtëpia.

Prokuroria ka sjellë dje me urgjencë në polici tabulatet telefonike të 4 celularëve që kanë marrë me vete Orialda dhe Klevisa Kajtazi. Nga analizimi i të dhënave, ka rezultuar se thirrjet e fundit para largimit nga shtëpia dy vajzat i kanë bërë me një femër, emri i së cilës për momentin nuk bëhet i ditur për arsye hetimore. Dyshohet se kjo femër i ka instruktuar vajzat për të gjithë planin e largimit nga banesa, ndërkohë që nën hetim janë edhe numra të tjerë telefoni. Ndërkohë, prokuroria ka marrë edhe tabulatet telefonike të nënës së vajzave, Anila Kajtazi.

Të katër telefonat që vajzat kanë marrë nga banesa e tyre pas arratisjes në drejtim të paditur, janë të fikur e jofunksionalë. Nuk dihet nëse janë brenda apo jashtë vendit, por po hetohet në drejtim të identifikimit të personave që mund t’i kenë ndihmuar apo marrë vajzat, pohojnë burimet. Kështu, nën mbikëqyrje janë të gjithë djemtë e lagjes në Spitallë, ku janë vërejtur elementë të dyshimtë të aktivitetit të tyre. Po kështu, nën mbikëqyrje është ish-i fejuari i Orialdës 18-vjeçare, megjithëse prindërit e vajzës e kanë shmangur plotësisht këtë si opsion. Ish-i fejuari i Orialdës jeton dhe punon në Itali, po kështu edhe ish-i fejuari i vajzës së madhe, Alketës. Sipas burimeve policore, një djalë 25- vjeçar është larguar në Itali në 17 korrik, një ditë pas largimit nga banesa të dy vajzave. Edhe ky person mbahet nën mbikëqyrje.

Po kështu, djemtë e lagjes numër 15 që kanë pasur njohje me vajzat janë nën mbikëqyrjen e policisë. Kjo nisur nga fakti se dy vajzat, në mënyrë konstante e të vazhdueshme u kanë hedhur në gjellë prindërve dhe motrës së madhe valium për të fjetur gjumë. Vajzat kanë dalë natën dhe kanë pasur jo rrallë takime me djem të moshës së tyre, por edhe me më të rritur. Janë shoqëruar në polici disa banorë të lagjes dhe ka dyshime që vajzat e kanë frekuentuar jetën e natës rregullisht gjatë muajve të fundit, pohojnë burimet. Megjithatë, fakti që mund të jenë brenda vendit, në zonën jugore, është një tjetër opsion i ngritur nga hetuesit, nisur nga disa telefonata anonime që kanë mbërritur në telefonin e nënës së vajzave ditët e fundit, por që askush nuk ka folur.

POLICIA
Një informacion i detajuar, bashkë me fotot e vajzave, u është përcjellë komisariateve dhe postave policore në Sarandë, Himarë, Vlorë etj. Nga një verifikim në sistemin TIMS, policia ka konstatuar se vajzat nuk e kanë kaluar kufirin. Nëse ndodhen jashtë vendit, largimi i tyre mund të jetë mundësuar nga rrugë ilegale. Burime nga grupi hetimor thanë se familjarët e 2 vajzave nuk janë treguar shumë bashkëpunues me Policinë e Shtetit për gjetjen e dy vajzave të tyre. Madje janë dashur orë e orë intervistash, që policia të zbulojë çfarë ka ngjarë realisht në banesën e tyre mesnatën e 15 korrikut, duke gdhirë data 16 korrik. Grupi hetimor ka hedhur para tavolinës pistat e hetimit, dhe po punohet paralelisht në disa drejtime për gjetjen e dy minoreneve të zhdukura nga banesa e tyre 23 ditë më parë, pa lënë asnjë gjurmë për vendndodhjen e tyre. “Jemi munduar t’ua nxjerrim informacionet për vajzat si me darë e me çengel. Ndoshta kanë turp për ‘bëmat’ e vajzave të tyre, ndoshta janë të paqartë, por është vënë re mungesë sinqeriteti nga ana e familjarëve për të rrëfyer të vërtetën, por ajo që vihet re në të gjithë këtë histori është se vajzat janë larguar me dëshirë nga banesa, të ndihmuara edhe nga persona të tjerë, që dyshohet se janë meshkuj”, thanë burimet nga grupi hetimor.

Prej 22 ditësh, dy vajzat e vogla të familjes Kajtazi në Durrës janë larguar nga shtëpia, pasi I vunë zjarrin, morën paratë e prindërve, pasaportat dhe rrobat e tyre. Pak orë para arratisjes së vajzave, dy prindërit dhe motra e madhe 20-vjeçare përfunduan në Spitalin e Traumës me helmim ushqimi. Vajzat u kishin hedhur qetësues në ushqim. Policia nuk ka asnjë ide konkrete për vendndodhjen e tyre. Por, burimet thonë se Orialda dhe Klevisa nuk figurojnë të kenë dalë nga Shqipëria, sipas sistemit TIMS. Nëse ndodhen jashtë vendit, largimi i tyre mund të jetë mundësuar nga rrugë ilegale.

Klevisa dhe Orialda u morën rreth 500 mijë lekë të reja prindërve. 18-vjeçarja Orialda Kajtazi ka qenë e fejuar dy vite më parë, por është ndarë. Ajo dyshohet se u ka hedhur ilaç prindërve në ushqim dhe ka djegur shtëpinë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: