TIRANË
Banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, që nga akt-eskpertimi i kryer nga Instituti i Ndërtimit rezultojnë me gradën më të lartë të dëmtimit, do të riinspektohen.
Një vendim i qeverisë, i marrë në 15 Janar dhe i publikuar një ditë më parë në fletoren zyrtare, bën të ditur se për këto banesa të dëmtuara do të kryhet një akt-ekspertizë e thelluar.
Vendimi përcakton se kryerja e akt-ekspertizës së thelluar do të bëhet për ato ndërtesa që janë klasifikuar me shkallë dëmtueshmërie në DS4 dhe DS5, pra thënë ndryshe me dëmtime shumë të rënda. Kryerja e akt-ekspertizës për këto objekte do të bëhet në bazë të tarifave të publikuara në vendim.
I gjithë ky proces do të realizohet nga njësitë e qeverisjes vendore të mbështetur nga akt-konstatimet paraprake të Institutit të Ndërtimit. Në vendim nuk përcaktohet nëse akt-ekspertiza e thelluar do të kryhet nga studio private të kontraktuara nga njësitë vendore, por raporti i tyre do t’i vihet në dispozicion Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencës.
Analiza e thelluar përfshin disa studime, si studimi i materialit gjeometrik, studimin e dokumentacionit, qëndrueshmërinë sizmike dhe gjeometrike. Gjatë takimeve me ministrin e Jashtëm italian, kryeministrit Edi Rama tha se fatura e dëmeve nga tërmeti llogaritet në 1 miliard euro, por raporti përfundimtarë është ende në fazë hartimi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara , Banka botërore dhe Komisioni Europian.
(BalkanWeb)