Dy pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë ndaluar për disa orë dje nga policia serbe në kufirin Kosovë-Serbi, saktësisht në Jarinjë.


Të dy ushtarët, një burrë e një grua, janë të nacionalitet serb dhe janë nga Zubin Potoku. Zëdhënësi i FSK-së, Ibrahim Shala ka konfirmuar lajmin duke treguar se pas disa orësh dy ushtarët serbë të FSK janë lënë të lirë.


“Është e vërtetë se ushtarët e FSK-së janë ndaluar në kufirin Kosovë-Serbi, e më pas janë liruar”, ka konfirmuar Shala.


Ndërsa zëvendës ministri i Mbrojtjes në detyrë, Burim Ramadani, ka deklaruar se Serbia po vazhdon presionin ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së duke i ndaluar me orë të tëra pa asnjë arsye.

“Serbia vazhdon presionin ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, në një logjikë krejtësisht jonormale, jonjerëzore dhe jokonstruktive. Duke i ndalur me orë të tëra dhe liruar më pas, ky presion është krejtësisht pa kuptim”, ka shkruar Ramadani.

Ai gjithashtu siguroi se me këto veprime nuk mund të arrihet asnjë qëllim.
“Nuk ka asnjë qëllim që mund të arrihet përmes këtyre veprimeve. E vetmja gjë që dëshmohet është që asgjë nuk ka ndryshuar, është i njëjti mentalitet”, ka thënë Burim Ramadani.

Sipas tij, Serbia nuk mund ta ndalë Kosovën, por vetëm po keqtrajton serbët e Kosovës.
“Serbia po dëmton serbët e Kosovës. Sepse, Kosovën nuk mund ta ndalë si të tillë, por vetëm keqtrajton serbët e këtushëm”, është shprehur zv. ministri në detyrë, Ramadani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb