Partizani hedh sytë te ndeshja e radhës, ajo kundër Egnatias pas tri ditësh në stadiumin “Arena e Demave”. Të kuqtë duhet të mbledhin forcat dhe të bëjnë maksimumin në një ndeshje tejet të vështirë, ku qëllimi është fitorja, pasi tashmë Elbasani ndodhet vetëm një pikë larg.

Lajmi i mirë për trajnerin Gega është rikthimi i mbrojtësit Altin Bytyçi, i cili shleu pezullimin e katër kartonëve të verdhë në derbi dhe tashmë mund të luajë. Sakaq, edhe Atanaskoski pritet të jetë sërish i gatshëm. Mbrojtësi ishte në stol në ndeshjen me Tiranën, por duket se stafi nuk e ka vlerësuar për të luajtur as si zëvendësues. Me ardhjen e Gegës, për arsye të ndryshme, maqedonasi ka luajtur shumë pak.

Partizani u trondit të hënën nga Tirana, pasi u mposht në “Arena Kombëtare” me rezultatin 3-0, një disfatë që ul moralin e “Demave” dhe rrezikon fatin e gjithë sezonit, kur kanë mbetur dhe tri javë. Alban Hoxha e nxori tri herë topin nga porta e tij, ku dy prej golave u shënuan nga penalltia. Ernest dhe Zharmuni u treguan të saktë në gjuajtjet nga 11 metrat.

Në anën tjetër, asnjë gol, të paktën i rregullt, nuk u shënua nga të kuqtë e kryeqytetit. Humbje e tillë me 3 gola diferencë nuk ndodhte te Partizani prej 120 ndeshjesh. Sfidat e luajtura në Superiore, Kupë, Superkupë dhe Europë, nuk shikonin këtë statistikë negative nga 30 tetori i vitit 2022.

Asokohe ishte Egnatia që fitoi ndaj Partizanit me rezultatin e pastër 3-0. Më pas, të kuqtë janë treguar skuadër shumë stabël, që nuk shënonte shumë, por as pësonte lehtë. Në këtë vit 2025, të kuqtë janë kthyer të hasin vështirësi, ashtu siç ndodhi në derbi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb