Në News 24 u publikua një histori e tmerrshme, ku dy të moshuar në Laprakë, Tiranë, kanë kaluar 11 vjet të jetojnë në errësirë totale, pasi energjia elektrike u ndërpre për shkak të një mbifaturimi të padrejtë.
Gazetari Osman Stafa, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në Neës 24, ndau detaje të kësaj situate të pabesueshme, duke theksuar se institucionet shtetërore e injoruan këtë rast për shumë vite, ndërsa qytetarët ishin të vetmit që ofruan ndihmë.
Pavarësisht denoncimit të tij dhe ndërhyrjes për të siguruar ndihmë, asnjë institucion nuk u përgjigj, ndërsa qytetarët e sensibilizuar krijuan një fond për të paguar energjinë elektrike për këtë çift të moshuar.
“Atëherë vetëm pak kohë më parë, në News 24 kemi transmetuar rastin më çnjerëzor dhe se në Shqipërinë e vitit 2025 është alogjike të mendosh që dy të moshuar jetojnë prej 11 vitesh në një errësirë totale. Dhe kjo gjë ndodh sepse institucionet shtetërore dhe kompanitë që menaxhojnë energjinë elektrike e kanë mbifaturuar këtë familje e cila mes energjisë zgjodhi bukën. Kjo familje ka 11 vite që jeton në zonën e Laprakës. Dua të them se disa institucione shtetërore si Kontrolli i lartë i Shtetit ka qenë vetë drejtori i institucionit Arben Shehu i cili ishte në gjurmët e këtij rasti dhe kërkoi dhe ndihmën time për të identifikuar në terren dhe më pas për ta ndjekur.
Momentin e parë isha pak skeptik, se mendova se nuk ka mundësi që në Laprakë në kryeqytet “syri i institucioneve” t’i ketë shpëtuar një rast i tillë dhe të kenë lënë dy të moshuar një burrë 70 vjeç dhe bashkëshorten e tij me probleme të shëndetit mendor pa energji elektrike por ne gazetarët në fillim bëjmë identifikimin dhe kam shkuar në terren për të verifikuar dhe ishte një lemeri. Ishte në një zonë të populluar shumë rreth 2-3 minuta larg spitalit ushtarak.
Në vitin 2014 OSHEE i kishte ndërprerë energjinë elektrikë me justifikimin që nuk e paguanin dot dhe në momentin e parë që unë kam shkuar atje zotëria ishte i pashpresë se nuk e mendonte dot se do të kishte energji elektrike në shtëpinë e tij.
Ishte një përplasje shumë e fortë sepse ky person prej 11 vitesh, ishte ankuar tek institucionet e OSHEE-së , dhe tek institucionet e tjera por askush nuk i ishte përgjigjur por e kishin larguar pasi nuk e lejonin të shkonte tek zyra e drejtorit.
Kjo histori është e shumë të moshuarve në Shqipëri se kjo familje, nuk e kishte një fëmijë pasi nuk kishin arritur dot ta kishin dhe vetëm 220 mijë lekë merrnin të dy me të cilat duhet të paguanin ilaçet e bashkëshortes dhe ushqimin .Ishte një histori e trishtë pasi ata ushqeheshin vetëm me bukë dhe qumësht. Ai ka treguar për të gjithë vuajtjet e tij dhe atij i është dashur të bëjë edhe burrin edhe gruan duke gatuar të lajë të punojë dhe të kujdeset për bashkëshorten e cila ka probleme të shëndetit mendor dhe e gjitha kjo pa energji elektrike.
Asnjë familje shqiptare nuk e koncepton qëndrimin pa energji elektrike. Unë kam pasur shumë takime me institucionet e tjera si për shembull Komisionerin për Diskriminimin të cilin e falenderoj pasi ka bërë një punë shumë të mirë pasi ka raportuar shumë raste të tilla në Shqipëri. Ti nuk mundesh ti mohosh një familjeje energjinë elektrike edhe nëse ata nuk e kanë paguar dhe se në vitin 2015 është vendosur një ligj i cili nuk zbatohet.
Ka shumë nëna me fëmijë jetim të cilat nuk kanë paguar, si edhe shumë të moshuar. Mbaj mend një rast në Përrenjas të Librazhdit të cilin e kam ndjekur kur një burrë kreu vetëvrasje pasi nuk paguante dot energjinë elektrike dhe si mund një person me probleme të shëndetit mendor të jetojë në errësirë totale. Edhe në konventën e të drejtave të njeriut e përcakton se edhe nëse energjia ndërpritet ato duhet të sigurojnë një llampë për televizorin e cila është gjëja më minimale. Unë e bëra denoncimin e këtij rasti dhe vura re se institucionet nuk janë përgjigjur dhe as shërbimet sociale as ministria e shëndetësisë nuk kanë shkuar të vizitojnë as zonjën e cila ka disa probleme.
Gjithkush ka reaguar në lidhje me këtë rast përveç institucioneve. Unë kam marrë shumë mesazhe në rrjetet e mia sociale nga qytetarë të ndryshëm të cilët donin të ndihmonin në lidhje me rastin dhe mund të them se një djalë ka ofruar të paguajë rreth 3 milionë lekë për energjinë elektrike që nevojiteshin. Edhe pas pagesës ato nuk erdhën për t’i lidhur por ne u detyruam që të ndërhynim përsëri .Kur vajta ditën e parë në mbrëmje kur ata kishin drita zotëria më tregoi se bashkëshortja kishte qarë sepse e kishin humbur totalisht shpresën që ata do të kishin drita në shtëpinë e tyre dhe që 11 vitet i kanë kaluar me qiri.
Dua të falenderoj të gjithë personat të cilët i janë bashkuar një nisme, dhe kemi krijuar një fond për Koçin dhe bashkëshorten e tij që çdo muaj t’i paguajmë energjinë elektrike. Nuk kanë lidhje realiteti i familjeve me ato se çfarë thonë ose bëjnë institucionet. Unë e publikova rastin, por asnjë institucion nuk u përgjigj edhe pse bëri shumë bujë”, tha ai.
(BalkanWeb)