Ushtria amerikane njoftoi të mërkurën se dy anëtarë të saj mbetën të vdekur si pasojë e rrëzimit të një helikopteri në Afganistan. Autoritetet po hetojnë rreth shkaqeve të incidentit, por sipas të dhënave paraprake të njoftuara zyrtarisht nuk bëhet fjalë për një rrëzim të shkaktuar nga forcat armike. Ngjarja e fundit e çon në të paktën 18 numrin e ushtarëve amerikanëve të vrarë në misione që lidhen me konfliktin në Afganistan.

Më herët grupi Taleban pretendoi se kishte rrëzuar një helikopter ushtarak amerikan të tipit Chinook në provincën Logar në lindje të Afganistanit. Një zëdhënës i grupit tha se helikopteri ishte me mision për të bastisur një bazë të kryengritësve në këtë zonë.

Megjithatë mbetet e vështirë të konfirmohet nga burime të pavarura nëse grupi kryengritës i referohej të njëjtit incident. Pretendimet e Talebanëve për sulme ndaj forcave të huaja të udhëhequra nga SHBA-ja në Afganistan, janë shpesh të fryra, shkruan Rel.

Në një tjetër zhvillim të lidhur me një sulm gjatë natës të Talebanëve në një bazë ushtarake në provincën veriore Kunduz u vranë të paktën 13 forca afgane dhe u plagosën disa të tjerë. Sipas medias afgane sulmi ndodhi në distriktin e Imam Sahib-it.

Talebanët morën përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se luftëtarët kryengritës konfiskuan gjithashtu pajisje ushtarake nga baza.

Dhuna vjen një ditë pas një procesi shkëmbimi të burgosurish mes kryengritësve dhe Shteteve të Bashkuara falë të cilit u çliruan dy pengje, mes tyre një shtetas amerikan, në këmbim të tre të burgosurve kryengritës me pozicione drejtuese.

Dy profesorë të universitetit Amerikan të Kabulit Kevin King dhe kolegu i tij australian Timothy John Weeks mbaheshin peng nga Talibanët që nga gushti i vitit 2016.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb