Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti dhe bisedoi me nxënësit për sigurinë në shkolla, sigurinë kibernetike dhe sigurinë rrugore.

Drejtori Proda u shpjegoi nxënësve rëndësinë dhe funksionet shumëdimensionalë të punonjësve të Policisë në shoqëri.

“Akademia e Sigurisë ofron mundësi të artë për maturantët që dëshirojnë të bashkohen me Policinë e Shtetit, duke i dhënë një mision të veçantë të ardhmes së tyre”, u shpreh Proda.

Gjatë vizitës në DPPSh, nxënësit shfaqën kuriozitet dhe drejtuan pyetje mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Policisë së Shtetit, duke u ndalur te drejtimet që lidhen me hetimin e krimeve kibernetike, teknologjinë e informacionit, komandimin dhe drejtimin, sigurinë rrugore, si dhe marrëdhënien me median dhe qytetarët.

Drejtuesit e këtyre strukturave shoqëruan nxënësit gjatë vizitës dhe iu përgjigjën me kënaqësi pyetjeve të tyre.

Aktivitete të tilla, të organizuara në kuadër të 112-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, janë zhvilluar në të gjitha drejtoritë e Policisë në 12 qarqet e vendit. Vizitorët specialë u mirëpritën nga Drejtorët e Drejtorive dhe sektorëve të ndryshëm në qarqe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb