Nga Eneida Petova

I nxehti ekstrem i kësaj vere ka dyfishuar sëmundjet e lëkurës në Berat. Moshat më të prekura janë ato pediatrike dhe të rinjtë, ndërsa mungesa e kujdesit dhe higjenës ka rritur edhe komplikacionet.

Kjo të paktën sipas mjekut dermatolog Artur Bani, i cili këshillon qytetarët që ti shmangen plazheve në lumin Osum, apo pishinave që nuk plotësojnë standardet sa i takon pastërtisë.

Çdo ditë pranë Poliklinikës së Specialiteve në Berat paraqiten raste me infeksione nga më të shumtat, që kanë nevojë për ndihmën e mjekut.

Sipas mjekut dermatolog, Artur Bani, larja nëpër lumenj e pishina, janë disa nga shkaqet kryesore të shfaqes së infeksionit në lëkurë. Por gjithashtu edhe mos mbajtja e një higjeve personale.

“Stina e verës ka shtuar së tepërmi shifrat e infeksioneve të lëkurës, infeksione që shtohen çdo ditë dhe që kanë prekur të gjitha moshat. Infeksionet e lëkurës janë sëmundja më e shpeshtë në këtë periudhë,e cila ka prekur më së shumti moshat pediatrike.

Kjo periudhë është periudha me më shumë infeksione sepse ndikojnë shumë faktorë: temperaturat e larta, djersitja e trupit dhe mënyra e jetesës.

Është rritur edhe numri i frekuentimit në pishina dhe pishinat duhet të jenë brenda disa standarteve të kontrollit dhe çerfitikimit”, shprehet mjeku dermatolog Artur Bani.

Mjeku Bani apelon për evitimin e larjeve pranë ujrave të lumit Osum për shkak të ndotjeve.

“Ne ndodhemi në një qytet që kemi afër dhe lumin, i cili tani frekuentohet më pak, por sërisht ka qytetarë që lahen. Këshilla ime është që ta evitojnë sepse është shumë i ndotur.

Në të gjitha analizat që bëhen në lumë edhe në përiudhat e mëparshme kur unë kam qënë në institucion ku unë kam pasur mundësi të përditësohem me analiza, lumi është shumë i ndotur”, shprehet mjeku Bani.

Mjeku dermatolog Artur Bani apelon për më shumë higjenë vetjake gjatë kësaj stine, kur është dhe piku i sëmundjeve të lëkurës, ndërsa pohon që askush të mos neglizhojë shenjat e para të sëmundjes pasi mund të sjellin komplikacione.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: