Në ngritjen e Dinamos së këtij sezoni merita është e të gjithëve, duke filluar që nga presidenti Adrian Bardhi dhe drejtuesit e klubit, për të vazhduar me trajnerin Ilir Daja dhe stafin e tij, dhe sigurisht me grupin e lojtarëve, të cilët janë protagonistët e fushës së blertë.

Lojtarët kanë unitet dhe sakrifikojnë për njëri-tjetrin, ndaj dhe skuadra po ecën kaq mirë, por nëse duhet të veçojmë një repart, ai është sulmi pa dyshim. Dinamo është skuadra që ka shënuar më shumë se të tjerët në Superiore, 30 gola, dhe e ka bërë këtë gjë me lojtarët e sulmit.

Në repartin e avancuar veçohen dy çifte “binjakësh” goli, i pari Mandela-Zabërgja dhe i dyti Bregu-Nani. Janë këto dy çifte binjakësh që duket se kanë “monopolizuar” golin te 18 herë kampionët e vendit. Përjashtim bën dygolëshi i Lorenco Vilës dhe golat e Jorgo Meksit dhe Klevi Qefalijës.

MANDELA-ZABËRGJA – Të dy së bashku kanë shënuar 16 gola deri tani, nga 8 secili. Mandela në qendër të sulmit dhe Zabërgja në çdo rol të këtij reparti, kanë qenë vërtet të frikshëm për mbrojtjet e ekipeve kundërshtare. Ata jo vetëm kanë shënuar më shumë se gjysmën e golave të Dinamos, por kanë ditur ta tërheqin skuadrën përpara dhe të ndihmojnë edhe të tjerët të shënojnë, sidomos kosovari që ka asistuar disa herë, siç bëri së fundi ndaj Egnatias për Tago Nanin.

Mandela dhe Zabërgja janë dy “binjakët” e Dinamos jo vetëm për golat e shënuar, por edhe për sa i përket merkatos, pasi janë dy nga lojtarët më të lakmuar nga klubet e huaja. Në një të ardhme jo shumë të largët ata mund të mbushin edhe arkat e klubit kryeqytetas.

BREGU-NANI – Çifti tjetër i “binjakëve” të golit te blutë është Bregu-Nani. Luajnë të dy në krahët e sulmit dhe kanë shënuar 10 gola, nga 5 gola secili deri tani. Bregu në fakt mungon prej disa javësh për shkak dëmtimi dhe “stafetën” e ka marrë në mënyrën më të mirë portugezi, i cili ka shfrytëzuar mundësinë dhe ka shpërthyer me gola në javët e fundit.

Me rikthimin e vlonjatit nga dëmtimi edhe trajneri Ilir Daja do ta ketë të vështirë të bëjë përzgjedhjen e titullarëve të sulmit, por nuk është çudi që në ndeshje të caktuara t’i aktivizojë të 4 lojtarët nga minuta e parë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb