Një klub i Superiores ka sponsor në fanellë një kompani nga Afrika. Ky është lajmi i vetëm i publikuar nga raporti i UEFA-s që bën “skanerin” e vitit që lamë pas për të gjitha kampionatet dhe skuadrat europiane. Në kuptimin që nuk bëhet e ditur as skuadra që e ka këtë sponsor dhe as emri i kompanisë që operon në Shqipëri dhe figuron e regjistruar në Afrikë.

Në analizën e bërë për sponsorët që vendosen në fanellë, rezulton se në Kategorinë Superiore 6 skuadra kanë kompani shqiptare, 1 ka sponsor afrikan dhe një tjetër sponsor europian. Më keq është situata për 2 ekipe të tjera, të cilat nuk kanë asnjë lloj fitimi apo të ardhure nga sponsori në fanellë.

ÇUDIA- Por, nga vëzhgimi i bërë nuk rezulton të ketë sponsor afrikan në asnjë nga 10 fanellat e skuadrave të Kategorisë Superiore. Atëherë lind dyshimi se pse në raportin e UEFA-s ekziston diçka e tillë.

Ndoshta ndonjë klub përdor kontrata fiktive me sponsorët (këtë herë në Afrikë) për të rregulluar në mënyrë fiktive bilancin për të marrë pjesë në Kupat e Europës dhe për të plotësuar në mënyrë të rregullt dokumentacionin dhe respektimin e rregullave të “Fair Play Financiar”.

Por, nuk përjashtohet mundësia që ndonjëra prej kompanive shqiptare që sponsorizojnë skuadrat të ketë ndonjë filial në Afrikë dhe të jetë regjistruar aty për të zhvilluar biznesin e saj. Por, ndoshta mund të jetë edhe një tjetër hipotezë në këtë çështje, ku kontrata me ndonjë sponsor afrikan të jetë e rregullt, por vetë ekipi dhe drejtuesit vendosin që të mos e mbajnë të stampuar në fanellë. Diçka që tingëllon në mënyrë të çuditshme. Në fund të fundit, sa më shumë sponsorë, si në fanella, ashtu edhe në mënyra të ndryshme të ndihmojnë futbollin shqiptar, ngado qofshin: Afrika, Azia apo Amerika…

EUROPA- Në vëzhgimin e përgjithshëm të UEFA-s, 56 klube dhe 25 kampionate kanë një sponsor joeuropian në fanellat e tyre. 66% e skuadrave kanë sponsorë fanellash të kompanive të vendeve të tyre, 12% kanë sponsorë afrikanë, 5% aziatikë, 3% amerikanë dhe 14% e skuadrave në Europë nuk kanë sponsorë në fanellë/Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: