DURRËS- Historia që nisi si një dashuri virtuale mes Enertila Beqjas dhe Barush Ahmatit ka habitur shumëkënd dhe shtyrë gazetarët të gërmojnë për informacione të tjera tek të afërmit dhe ata që i njohin. Në një prononcim për gazetaren Klodjana Haxhiaj për “BalkanWeb”, kushërira e Enertilës hedh dyshime të forta në lidhje me arrestimin e 27-vjeçares për të cilën thotë se është me çrregullimi psikologjike. Dyshimi i saj është në lidhje me një pronë të familjes së Enertilës ku do të ndërtohet një landfill.

“Dyshoj se jo gjithçka është ashtu siç duket. Familja e Enertilës ka një tokë në fund të rrugës dhe aty është thënë që do të ndërtohet një landfill. Punimet kanë nisur pak kohë më parë. Unë nuk e besoj 30-vjeçarin që nuk e dinte se çfarë po bënte. Dyshoj se ai e ka ditur shumë mirë atë që ka bërë gjatë tri viteve. Policia dhe prokuroria duhet të hetojnë më shumë, sepse dyshoj se e gjithë kjo mund të bëhet për pronën që ka vajza”, thotë kushërira e 27-vjeçares e cila është arrestuar tre ditë më parë për mashtrimin e drejtorit të postës Manzë, Barush Ahmati, i cili ka denoncuar se me vajzën ka folur për 3 vjet në rrjete sociale duke i premtuar dashuri dhe ai nga ana e tij duke i bërë dhurata në vlerë 60 mln lekë të vjetra.

Kushërira e Enertilës hedh dyshime edhe për njerëz të tjerë të përfshirë në këtë histori.

Prindërit e Enertilës
Prindërit e Enertilës

“Prindërit e saj janë të sëmurë, ajo e sëmurë dhe tani edhe në burg. Dyshoj fort që Enertila e vetme nuk mund ta ketë bërë këtë. Mund të ketë qenë njeri tjetër në lojë dhe mund t’ia kenë lënë asaj në kurriz gjithë këtë skandal”, tha kushërira e saj, e cila edhe pse është jashtë vendit, punon në një institucion shtetëror.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb