Izraeli ka ndaluar së përpunuari kërkesat e tregtarëve për të importuar ushqime në Gaza, sipas 12 personave të përfshirë në tregti.
Që nga 11 tetori, tregtarët me bazë në Gaza, të cilët importonin ushqime nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor i pushtuar nga Izraeli, kanë humbur qasjen në një sistem të prezantuar në pranverë nga Cogat, organi qeveritar izraelit që mbikëqyr ndihmat dhe dërgesat tregtare, dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje në përpjekje për të kontaktuar agjencinë, thanë burimet, raporton Reuters.
Kjo ka bërë që fluksi i mallrave që mbërrijnë në Gaza të jetë në nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës, tregon një analizë e Reuters për të dhënat zyrtare izraelite.
Cogat nuk i është përgjigjur pyetjeve të Reuters në lidhje me importet komerciale të ushqimit dhe ndihmën për Gazën. Agjencia thotë se bën gjithçka që mundet për të siguruar që ndihma e mjaftueshme të hyjë në enklavën bregdetare dhe që Izraeli të mos pengojë hyrjen e ndihmave humanitare. Ajo hedh poshtë akuzat që Izraeli po bllokon furnizimet.
Midis 1 tetorit dhe 16 tetorit, fluksi i përgjithshëm i dërgesave në Gaza – duke përfshirë ndihmat dhe mallrat komerciale, ka rënë në një mesatare ditore prej 29 kamionësh, sipas statistikave të Cogat.
Kjo krahasohet me një mesatare ditore prej 175 kamionësh midis majit dhe shtatorit, tregojnë të dhënat.
Dy burime të përfshira në furnizimin me ushqime thanë se arsyeja për ndalimin e dërgesave komerciale ishte sepse Izraeli shqetësohej se grupi militant Hamas po merrte të ardhura nga importet.