TIRANE- Historia e Otorinos dhe Aishes, motër e vëlla nga Korça, të cilët tashmë kanë mbetur në mëshirë të fatit, është trajtuar sërish në emisionin “Me zemër të hapur” në “News24”. Pasi i braktisi babai, nëna e dy fëmijëve, djali 11 vjeç dhe vajza 12 vjeç, pësoi aksident të rëndë, dhe prej 6 vitesh ndodhet në koma.

Nëna me dy fëmijët ishte vendosur për një jetë më të mirë në Vicenca të Italisë. Por para 7 vitesh fëmijët ishin të vegjël dhe ajo e kishte të pamundur të punonte dhe t’i rriste ata. Në këto rrethana, u detyrua të vinte në qytetin e saj të lindjes Korçë dhe t’i linte fëmijët tek vëllai i madh, për një periudhë kohe dhe më pas do rimerrte në Itali.

Por në atë kohë ajo pësoi aksident, dhe prej 6 vitesh ndodhet në gjendje kome në një spital të Italisë. Edhe pse shpresat janë të pakta për të mbijetuar, fëmijët luten çdo ditë për nënën e tyre.
Ndonëse për fëmijët daja që po kujdesej për ta mori një shumë të madhe parash, ai filloi t’i dhunonte.
Në emisionin së hënës “Me zemër të hapur”, daja i vogël i fëmijëve i cili nuk ka mundësi t’i mbajë fëmijët tha se:

“Lekët i bëri motra e Italisë dhe vëllai im binjak që ka kujdestarinë. Fëmijët që pas aksidentit nuk kanë ikur më në Itali. Fëmijët kanë jetuar me dajën që nga viti 2011 deri para 7 muajsh. Pastaj mi solli mua, më tha mbaji për 2 muaj e shumta. Do të nis unë lekë tha e do t’i mbash. Mirë i thashë por dy muaj. Realisht unë nuk i mbaja dot më shumë. Se janë 5 fëmijë, 3 të mitë e 2 të motrës. Unë kam marrë 29 mijë euro dhe 29 mijë nëna ime. Ka përfituar Rebeke Çollaku, motra ime dhe vëllai im binjak 40 mijë euro”, thotë daja.

Ai tregoi se fëmijët kanë para të tjera të mbyllura në bankë të cilat do t’i marrin kur të mbushin moshën madhore. Vëllai Voltisi, bën apel që shteti t’i heqë kujdestarinë vëllait të tij Eltisit dhe të vendoset një e ardhme e sigurt për fëmijët e motrës së tij.

Por në emisionin e sotëm, Eltisi pranon se ka marrë para nga fëmijët, por thotë se është kujdesur për motrën e tij, duke shkruar vazhdimisht në Itali, dhe i ka shpenzuar.

Ai thotë se motra e tij në Itali ndodhet në gjendje të rëndë, dhe shanset për të mbijetuar nuk janë të mëdha.

“Unë kam qenë në Itali nga nëntori, për disa muaj. I dhashë para vëllait që t’i çonte në shkollë. Por nuk i kanë çuar. Është përgjegjësia e tij”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb