Mediat kryesore të Kosovës i kanë kushtuar titujt kryesor sot një gruaje nga Shqipëria që konsiderohet faktori kyç dhe vendimmarrës në Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili këtë të enjte u largua nga dy komisione parlamentare, pati disa akuza të rënda për “ngufatje të zërit të deputetëve” dhe demokracisë brenda Grupit Parlamentar të partisë së cilës i takon.

Mes emrave të cilët Abazi i përmendi është aktivistja e LVV-së nga Shqipëria, Dejona Mihali, të cilën e quajti “masha e kontrollit” të deputetëve të partisë e cila është në pushtet.

“Unë e kam iniciuar krijimin e Komisionit për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Ajo është masha e kontrollit e Grupit Parlamentar të VV-së, duke mbivendosur mbi vullnet e çdo deputeti dhe pa legjitimitet. Mihali nuk ka qenë pjesë e votimeve, nuk ka qenë pjesë e garës së brendshme të VV-së, por është njeriu kryesor që kryeson, menaxhon dhe merr vendime brenda aty”.

Dejona 1
Dejona 1

“Kam protestuar brenda strukturave të partisë dhe gjitha këto janë heshtur. Demokracia e Kosovës nuk mund të varet nga individë të autorizuar nga Kurti që ata të drejtojnë diskursin demokratik të vendit. Ky është shqetësim shumë më i madh sesa maja e Ajsbergut në urdhrin për shkarkimin tim nga kryetari i komisioneve”, deklaroi Abazi në një konferencë për media, raportoi sot Telegrafi, teksa më pas bën një biografi të Mihalit.

Për “Express”, Dejona Mihali duket si një figurë mitike.
Masa nuk e njeh, por thuhet të jetë njeriu më i afërt i Albin Kurtit dhe me ndikim të madh në Vetëvendosje, Kuvend dhe Qeveri të Kosovës. Madje, emri i saj u përmend sot nga një deputet edhe për provat e zhdukura të rastit Dehari. Fuqia e saj, megjithatë, është tërësisht joproporcionale me angazhimin e saj publik. Çka dihet për Dejona Mihalin?

Kosovarët që deri atëherë s’kishin dëgjuar për Dejona Mihalin, në 2016-n e kishin marrë vesh se ajo është një shtetase e Shqipërisë, anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilës i ishte ndaluar hyrja në Kosovë.

Por, Mihali nuk ishte një anëtare e thjeshtë e subjektit opozitar atëherë dhe nuk është as sot kur LV-ja ka pushtetin. Fuqia e saj duket se është rritur në raport të drejtë me fuqinë e fituar nga LV-ja.

Mihali, gjithsesi, për kah ndikimi lë në hije edhe figurat e LV-së si Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha e të tjerë që nga kundërshtarët e Kurtit përshkruhen si Grupi i Tiranës, shkruan Express.

Pozita e saj mund të definohet më së miri me një përshkrim që Saranda Bogujevci ia ka bërë një fotografie të publikuar në Facebook.

“Me ma të mëdhenjtë në vend”, kishte shkruar Bogujevci në fotografinë ku shiheshin Kryeministri Albin Kurti, Kryeparlamentari Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Shefja e Grupit Parlamentar të LV-së Mimoza Kusari dhe Dejona Mihali. Katër të parët kanë pozita zyrtare ndër më të lartat në vend, por Mihali jo. Megjithatë, ajo nuk konsiderohet më pak “e madhe” nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Bogujevci
Bogujevci

Zyrtarisht, Dejona Mihali mban pozitën e Koordinatores së Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje. Në faqen e LV-së nuk jepet një biografi e saj. Sipas të dhënave personale që Mihali i ka ekspozuar në Facebook, mësohet se ajo ka lindur në Tiranë dhe ka studiuar filozofi në Universitetin e Tiranës.

Dejona Mihali nuk bën paraqitje publike, siç kanë bërë gjithmonë figurat kyçe të Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo s’ka garuar ndonjëherë në zgjedhje të brendshme partiake, e as s’ka hyrë ndonjëherë në listën e deputetëve të LV-së. Por, disa anëtarë dhe ish-anëtarë të partisë thonë ajo i kontrollon të gjitha këto.

Emri i saj rikthehet në publik sa herë që brenda LV-së ka ndonjë krisje. Të pakënaqurit e partisë, kur pas një kohë vendosin të bëjnë rrëfime publike, e akuzojnë Mihalin për kontroll të fjalës së lirë në parti.

Deputeti Haki Abazi sot ka folur për zhdukjen e provave të aktivistit të LV-së, Astrit Dehari në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ai tha se për këto prova duhet të intervistoheshin Albin Kurti, Dejona Mihali, ministrja Albulena Haxhiu dhe këshilltarja e saj, Nazlie Balaj.

Abazi e përmendi edhe njëherë Mihalin, duke thënë se ajo është njeriu që kontrollon gjithë deputetët e LV-së dhe është e autorizuar nga Kurti për vendimmarrjen brenda grupit parlamentar.

Deputeti i pakënaqur i LV-së pretendon se ka audio dhe video incizimi, ku, sipas tij, dëshmohet implikimi i Mihalit në këto dy çështje.

“Audio-inzicimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit dhe Dejona Mihalit për ngufatjen e zërit të deputetëve përbrenda parlamentit. Video-incizimet janë ato të cilat ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari”, tha Abazi.

Interesimi për ta ndjekur konferencën e deputetit Abazi ishte i madh. Deklaratat e tij kanë publikuar në mediat kryesore në vend, dhe jo vetëm. Por, Mihali i ka thënë Insajderit se nuk i ka parë ato deklarata dhe nuk i komentuar ato.

Emri i Dejona Mihalit së padukshme ishte kthyer në vëmendje gjatë zgjedhjeve të fundit të brendshme të partisë vitin e kaluar. Ajo akuzohej prej disa anëtarëve që donin të garonin nëpër degët e partisë, se po kontrollonte tërësisht zgjedhjet; se po zgjidhte kandidaturat dhe po eliminonte njerëz nga gara, shkruan Express.

Përgjatë ngritjes së LV-së, Mihali publikisht nuk ishte në top-listën e zyrtarëve të partisë, krahas Kurtit, Dardan Molliqajt, Visar Ymerit, Glauk Konjufcës e të tjerëve. Emri i Mihalit filloi të theksohej pas krizës në LV që rezultoi me ndarje të saj.

Derisa po tentohej për një pajtim, në fillim të 2018-s Molliqaj kishte njoftuar se grupi parlamentar i LV-së kishte vendosur të mblidhej për të provuar të gjenin një gjuhë të përbashkët. Por, tha se ishte i zhgënjyer që Mihali ishte kundër kësaj.

“Megjithatë, ndihem tepër i zhgënjyer që anëtarja e kryesisë Dejona Mihali votoi kundër këtij propozimi, ndërsa deputetët të cilët janë edhe anëtarë kryesie, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla abstenuan dhe nuk votuan pro kësaj iniciative”. Mihali më vonë i ishte përgjigjur ish-Sekretarit të LV-së, duke mohuar se ishte kundër asaj mbledhjeje.

Mihali e ka një profil në Facebook, në të cilin shpërndan kryesisht postime të Kryeministrit Kurti, ose ripublikon qëndrime të gjithëditura të LV-së.

Më 10 shkurt, në përvjetorin e demonstratave të LV-së në 2007-n dhe vrasjes së dy protestuesve aty, Mihali ka shpërndarë një pjesëz nga fjalimi i Kryeministrit Kurti, ku thoshte se “Vetëvendosja, edhe gjetiu, edhe te ne, paguhet edhe me jetë, por edhe jeta që ia vlen është ajo me vetëvendosje. Rruga jonë është e vështirë sepse është rrugë përpjetë, por edhe kjo rrugë e jona është e qartë sepse është rrugë e drejtë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb