Vetëm titulli kampion shpëton të ardhmen e Antonio Conte tek Inter. E bindur për këtë është e përditëshmja më e madhe sportive italiane “La Gazzetta Dello Sport”. Në numrin e saj të fundit, ajo radhit një sërë arsyesh se përse tekniku nuk është i qetë dhe se përse kjo atmosferë nuk do të ndryshojë derisa të kthesë zikaltërit te triumfi në Serie A. I kthyer ditët e fundit në qendër të kritikave, Conte do të ndiqet pas nga dy fakte të pakundërshtushme.
Ai është trajneri më i paguar në kampionatin italian, por eliminimi nga Champions që në fazën e grupeve bën që paga 12.5 milion euro në sezon, të shumëfishohet në mendjen e tifozëve. Duke qëndruar në atë që raporton gazeta edhe raportet mes tij dhe klubit nuk janë nga më të mirat. Përveç dështimit në Champions dhe idetë mbi merkaton gjejnë pak pika takimi. Si pasojë titulli kampion në Serie A është mundësia e vetme që ky sezon të mos jetë një dështim i vertetë, megjithëse nuk është 100% e sigurtë që “scudetto” do ta mbajë Conte në pankinën zikaltër edhe pas përfundimit të këtij kampionati.
(balkanweb)