25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit vendet e Ballkanit perëndimor vazhdojnë rrugën e vështirë të tranzicionit drejt një integrimi të plotë perëndimor. Megjithë kritikat për përparim të ngadaltë dhe reforma të mangëta, rajoni ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm, thonë ekspertë të zhvillimeve evropiane në një diskutim të Fondit Gjerman Marshall në Uashington.

Presidenti i ri i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, i cili filloi mandatin këtë muaj, e ka thënë hapur se nuk do të ketë antarësime të reja në BE për pesë vjetët e ardhshëm. Deklarata u komentua gjerësisht si një përpjekje për të ndikuar në referendumin skocez për pavarësi, por pasojat ishin shumë më të gjera. Rruga drejt antarësimit konsiderohet si një ndër mjetet më efektive të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Jacques Rupnik, studiues në Institutin e Studimeve Politike në Paris thotë se kjo politikë ka dhënë fryte të dukshme në Ballkan:“Historia më e madhe e suksesit është marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo ishte çështja më e vështirë dhe zgjidhja u arrit nga aktorë të paparashikuar, nga një qeveri nacionaliste. BE-ja duhet ta shfrytëzojë këtë histori për të dëshmuar se ka kapacitetin për influencë dhe për ta bërë nacionalizmin e këtyre vendeve të bashkëjetojë me idetë evropiane”. 

Por realiteti aktual e ka bërë të vështirë për popujt e vendeve anëtare të përqëndrohen në këto përfitime të zgjerimit të familjes evropiane. Kriza e thellë ekonomike ka forcuar partitë e ekstremit të djathtë, ka shtuar cinizmin për politikat e përbashkëta monetare dhe financiare dhe shqetësimin për dyndje të reja imigrantësh,. Një brez i ri evropianësh janë rritur pas rënies së Murit të Berlinit, pa frikën e armëve bërthamore dhe sot votojnë pa shqetësimin e sigurisë që ofron një Evropë e Bashkuar. Pjesëmarrësit thonë se do të duhet shumë punë për të bindur këtë segment të popullatës mbi vlerat e zgjerimit.

Por mbetet punë e madhe edhe nga vetë vendet që aspirojnë antarësimin. Rajoni ka shënuar përparim të konsiderueshëm në dy dekadat e fundit, në masë të madhe, falë premtimit për antarësim në Bashkimin Evropian në një të ardhme, thotë analisti i Fondit Marshall në Uashington, Ivan Vejvoda:

“Rajoni është në drejtimin e duhur, busulla ka qëndruar e palëvizur në drejtim të Evropës dhe NATO-s, me përjashtim të Serbisë, por ka plot probleme në këtë rrugëtim”.

 

Probleme që nga korrupsioni, nacionalizmi dhe dobësitë në shtetin ligjor janë një pengesë serioze për realizimin e ambicjeve të këtyre vendeve për aderim në Bashkimin Evropian. Realiteti i sotëm kërkon integrim, thotë profesor Rupnik dhe kjo bën të domosdoshëm angazhimin e plotë të elitave politike të cilat nuk kanë treguar vullnetin e duhur në këtë drejtim.

Megjithëse i vështirë dhe aktualisht jo popullor për shumë segmente të popullatës brenda Bashkimit Evropian, zgjerimi duhet dhe do të vazhdojë, thotë Michael Leigh, këshilltar pranë Fondit Marshall në Bruksel. Është një domosdoshmëri e pamohueshme, e diktuar nga vetë realiteti evropian. Ndalimi i këtij procesit, thotë ai, do të ishte parathënie e një mori problemesh sigurie për BE-në në të ardhmen:

“Brenda kufijve të Bashkimit do të ekzistonte kjo zonë gri ku shteti ligjor do të ishte vetëm pjesërisht i garantuar; do të kishte probleme që do të transportoheshin përmes kufijve si korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku i paligjshëm. Por do të ishte gjithshtu një zonë gri ku do të mund të ushtronin ndikimin e tyre aktorë të tjerë, me ideale të ndryshme nga Bashkimi Evropian”.

 

Vizita e fundit e Presidentit Putin në Serbi rizgjoi kujtimet e sferës sovjetike të influencës në rajon, lufta në Siri dhe Irak ka ngritur problemin e indoktrinimit ektremist nga ISIS në gjirin e Evropës, ndërkohë që vende arabe po tregohen më aktive për të ushtruar ndikimin e tyre në brigjet jugore të Mesdheut, duke investuar fuqishëm në qeveritë e reja në Afrikën Veriore. Në këtë realitet të ri, thonë analistët, integrimi nuk është thjesht shpresa dhe ambicja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe e vetmja zgjidhje e logjikshme e Bashkimit Evropian për të garantuar sigurinë në kufijtë e tij.

(d.b/ZeriAmerikes/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb