Ylber Ramadani vijon të jetë një ndër emrat më të lakuar të merkatos, me mediat italiane që prej ditësh flasin për një interesim të mundshëm të Napolit të Antonio Contes në drejtim të tij.
Humbja e vendit të titullarit pas ardhjes në stol tek verdhekuqtë të teknikut Gianpaolo, mund të shtyjë mesfushorin kuqezi të shoh për një alternative tjetër.
Megjithatë për të hedhur më shumë dritë për Ramadanin dhe momentin e vështirë që ai po kalon aktualisht, ka folur edhe drejtori sportive i Lecces, Pantaleo Corvino. I pyetur nga gazetarët nëse Ramadani do të jetë një nga futbollistët që do të largohet në merkaton e Janarit, për shkak se nuk po gjen hapësira në formacion, Corvino nuk ka dashur të përgjigjet drejtëpërdrejtë për këtë fakt, por ka theksuar se Ramadani po ashtu si lojtarët e tjerë të repartit të mesit të fushës duhet të garojnë për vendin e titullarit dhe se një konkurrencë e tillë i bën mirë ekipit.
Ditët në vijim do të mësohet më shumë mbi të ardhmen e mesfushorit 28 vjeçar, nëse ai do të qëndrojë tek Lecce deri në fund të sezonit, apo do të kërkojë të provojë një aventurë të re, e cila me shumë gjasa do të jetë në Itali, aty ku Napoli qëndron në pole-position. Zërat e merkatos e afrojnë Ramadanin me Napolin, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.