E ardhmja e Pep Guardiolës te Manchester Cityt mbetet ende temë e nxehtë. Së fundmi, trajneri është pyetur për këtë çështje nga gazetarët, në prag të miqësores me Milanin në Nju Jork.

“Kur të largohem, do të them që po largohem, por nuk e thashë këtë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk e përjashtoj fare vazhdimin e kontratës. Do të doja të qëndroja.

Nëntë vjet sot në të njëjtin klub janë një përjetësi. Dua të jem i sigurt se është vendimi i duhur. Jo vetëm për mua, për klubin, për lojtarët. Në të njëjtën kohë, ne kemi qenë të suksesshëm dhe ende po fitojmë Premierë dhe po luajmë në gara si Liga e Kampionëve. Kjo është ndjenja ime tani” – tha tekniku, i cili ka një kontratë ekzistuese, të  vlefshme deri në vitin 2025.

Guardiola, në bazë të statistikave, është trajneri më  suksesshëm te klubi nga Manchesteri. Nën drejtimin e tij, ekipi ka fituar gjashtë tituj kampion, dy Ef Ej Kap dhe Championsin e parë.  53-vjeçari numëron 472 ndeshje në krye të kësaj pankine, teksa ekipi ka marrë mesatarisht 2.34 pikë për takim.

Largimi i tij nga City për momentin duket si një skenar i vështirë, duke patur parasysh faktin se drejtuesit e kampionëve të Anglisë do bëjnë të pamundurën që të mbajnë në skuadër “timonierin”. Në sezonin e ri, Haaland me shokë do të synojnë të fitojnë të gjitha trofetë e mundshme.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb