HIMARË- Kjo është hera e tretë brenda sezonit turistik kur anijet greke derdhin naftë dhe vaj në ujërat shqiptare. Ujërat e Dhërmiut dhe Himarës u veshën edhe dje me vaj dhe naftë, duke alarmuar pushuesit. Ata nuk u futën në ujë nga frika e ndotjes.

Pronarët e restoranteve dhe hoteleve në këtë zonë mendojnë se kjo është e qëllimshme. “Derdhja e vajrave dhe naftës në det bëhet qëllimisht në kohë sezoni turistik për të ndotur detin tonë dhe për të larguar pushuesit,” tha një prej tyre.

Ky është bërë fenomen shqetësues, ndaj ata kërkojnë nga autoritetet të merren masa.

“Për të shmangur pagesën për trajtimin e mbetjeve, anijet greke nuk e derdhin vajin nëpër vendet e caktuara, sipas një procedure të ligjshme, kur ankorohen në port. Ato preferojnë ta derdhin atë në det të hapur duke dëmtuar kështu ujin, florën dhe faunën e bregdetit tonë. Ne kërkojmë që Qeveria të marrë masa për të ndaluar fenomenin që të mos përsëritet dhe të gjejë dhe të ndëshkojë autorët e këtij akti kriminal”, thanë pushuesit dhe banorët.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: