Një shofer autoambulance nga Koçani ka humbur jetën këtë mëngjes, pas një dite të vështirë dhe të lodhshme, gjatë së cilës transportoi të lënduarit nga zjarri tragjik që shpërtheu në një diskotekë në këtë qytet në lindje të Maqedonisë së Veriut.
Shoferi i njohur, Ile Gocevski, ndërroi jetë pasi u kthye në shtëpi për të pushuar pas një dite të mundimshme, gjatë së cilës shpëtoi dhe transportoi shumë persona të plagosur nga zjarri që përfshiu klubin. Sipas portalit “Metropola”, Gocevski ka ndërruar jetë gjatë orëve të vona të mëngjesit të sotëm. Shkaqet e sakta të vdekjes së shoferit ende nuk janë zbuluar.
Tragjedia në Koçan ndodhi të dielën, kur një zjarr i madh shpërtheu në diskotekën “Pulse”, ku ndodheshin rreth 1,500 persona. Si pasojë e flakëve, 59 persona humbën jetën dhe 155 të tjerë u plagosën. Dëshmitarët kanë treguar se ndërtesa kishte vetëm një dalje të vogël, duke e bërë evakuimin jashtëzakonisht të vështirë.
(Balkanweb)