Këto ditë shoqëria shqiptare është tronditur nga një seri ngjarjesh të rënda kriminale, vrasje, plagosje, sherre dhunë nga më banalet dhe makabret.
Duket sikur shoqëria është e mpirë dhe pret, se kur do të ndodhë krimi i ardhshëm. Dhe ai nuk zhgënjen. Ka qenë i përhershëm dhe nga më monstruozët; me gjeografi të shumëllojshme realizimesh, shkaqesh, vendesh etj.

Përditë ndeshemi me atë me të cilën na ushqen media, me mosfunksionimin siç duhet të ligjit, heshtjen ulëritëse të atyre që s’duhet të heshtnin dhe konstatim/analizimet e atyre që duhet të veprojnë. E drejta e jetës ndihet e rrezikuar seriozisht.
“Është e vërtetë që ligji nuk mund të detyrojë një tjetër njeri të më dojë, por ama mund ta pengojë që të mos më dhunojë, dhe kjo nuk është më pak e rëndësishme” – apelon i madhi Martin Luther King.

Megjithëse Kushtetuta e cilëson si të drejtë vetjake, atë ne duhet trajtojmë jo si çështje private, por si çështje publike, pasi pasiguria e saj shkatërron mbarë opinionin shqiptar, shkatërron jetët e njerëzve, shkatërron sigurinë tonë, dhe mbi të gjitha shkatërron të ardhmen. Është përgjegjësi dhe detyrim i shtetit dhe shoqërisë të marrë masa për sigurinë e qytetarëve të tyre. Kjo përgjegjësi kurrsesi nuk mund dhe nuk duhet të mbahet vetëm nga Policia, e cila me gjithë problematikat që ka/apo i krijojnë aktor të tjerë extra policor, ngelet prapë nga institucionet më të përkushtuara dhe më të sakrifikuara në shoqërinë shqiptare. Madje në jo pak raste ajo ndodhet në pozitat e fabulës “Hip se te vrava, zbrit se të vrava”.

Përgjegjësia për sigurinë e jetës njerëzore nevojitet të përfshijë legjislativin, qeverinë, opozitën, institucionet e pavarura, organet e drejtësisë, pushtetin vendor, institucionet fetare, mediat, organizatat jofitimprurëse, pra me një fjalë gjithë shoqërinë.
Nuk duhet të harrojmë se numri i vrasjeve dhe plagosjeve në këto tre dekadat e fundit, është në përmasa të frikshme, aq sa mund t’i afrohet atyre të një lufte. Është turp politik-shoqëror-institucional për të gjithë ne, që në 33 vite, në Shqipëri janë vrarë dhe plagosur për motive të ndryshme rreth 6 mijë vetë. Më tronditës bëhet ky turp, kur politikanët tanë, të vrarët i kanë vetëm shifra. Kaq të vrarë në kohën e qeverisjes time dhe kaq të vrarë në kohën e qeverisjes tënde. Harrojnë se këto shifra kaq të ftohta janë jetë njerëzish, dhimbje njerëzore….

A mos vallë “ne shqiptarët jemi më shumë të dashuruar me vdekjen se me jetën”? Personalisht jam kundër këtij mendimi pasi nuk bëj pjesë në atë grup, që priret të demonizojë çdo gjë shqiptare, apo të marrë rolin e viktimës për çdo gjë që nuk shkon mbarë në vendin tonë. Sipas meje, ne jemi një popull si gjithë popujt e botës, as më superior e as më inferior. Jemi në pjesën e diellit që na takon. Njohja e historisë së popujve të tjerë do na jep të drejtë dhe vërteton paradigmën se mund të jemi të vonuar, por jo se vrasja dhe krimi janë shoqëruesi ynë më i mirë.

Atëherë vetvetiu lind pyetja “Pse vrasin në demokraci shqiptarët”?
Personalisht përpiqem të justifikoj shoqërinë shqiptare, duke argumentuar se shqiptarët gjatë pjesës më të madhe të historisë nuk kanë pasur shtetin e tyre, por sundimin e të huajve. Edhe kur nuk ka qenë ky sundim i huaj, shteti nuk ka qenë në funksion të tij, por të sundimtarëve shqiptarë. Duke qenë baritorë në origjinë, dhe të shtyrë nga faktorë të jashtëm pushtues të jetojmë të izoluar në male apo të copëtuar në krahina, rajone apo shtete nën hyqmin e të tjerëve, ne nuk kemi pasur gjithmonë mundësinë të zhvillohemi mjaftueshëm.
Pas viteve ’90, ku tranzicioni ynë ishte shumë traumatik, duke ofruar një liri të pakufi për individin, familjen dhe gjithë shoqërinë tonë. Një liri kaotike e pa rregulla, që nuk mund të menaxhohej dhe kontrollohej dot nga individë të varfër ekonomikisht dhe inteligjentë të izoluar nga zhvillimi social-kulturor i botës tjetër, të papranuar prej saj dhe pa shpresë për nesër.
Të mos harrojmë se jemi debitorë ndaj së kaluarës, sidomos asaj të kaluare, krimeve të së cilës nuk u kemi vënë as emrin (“i kam borxh krimit që s’i vura emër”-klith poeti) dhe as dënimin e merituar për antihumanizëm.
Shoqëria shqiptare pësoi trauma sociale dhe njohu fenomene, të cilat jo vetëm që nuk i mendonte, por dhe ishte moralisht e ndarë. Ishim ne që i dhamë të drejtën vetes të quajmë pronarin e ligjshëm: ish pronar dhe zaptuesin e certifikuam si pronar të ligjshëm. Ligji 7501 “Për tokën bujqësore” na u kthye si litari jashtë varrit i batakçiut të fshatit. Ishim ne që vrapuam të blinim në kioska/universitetet me çmime të majme diploma universitare dhe shkencore, madje edhe tituj doktori dhe profesori. Ishim ne që shkatërruam çdo të mirë materiale që ishte krijuar në dekada. Të gjitha këto ndodhën përballë nesh, në sytë tanë.

Lëvizjet e pakontrolluara demografike të popullatës me kulturë dhe mentalitete të ndryshme; kriza dhe dhuna në familjen shqiptare, etj të shoqëruar këto me problemin e pazgjidhur të pronave, janë ndër shkaqet kryesore që “prodhojnë vrasje”.
Kjo situatë, ku pothuajse gjithmonë fiton jo i drejti, por i “forti”, e uli në minimum vetëvlerësimin e individit dhe të shoqërisë sonë dhe gradualisht ne fillojmë të besojmë se e meritojmë këtë mënyrë jetese, nuk aspirojmë më tepër se mbijetesa, humbasim vazhdimisht nga vlerat tona qytetare dhe kulturore, e nënvlerësojmë vetëdijen dhe sjelljen qytetare dhe nuk e kemi të nevojshme përgjegjësinë shoqërore.
Reagimi i zbehtë qytetar, që favorizon zgjerimin e përhapjes së “kulturës së krimit” gjeografikisht dhe demografikisht, si dhe përdorimin e tij si mjet “legal” për të “larë hesape” apo për “zgjidhur” problemet dhe mosmarrëveshjet e natyrshme individuale.
Krimi nuk është më vetëm i lidhur me të rinjtë, problematikën e tyre moshore dhe impulsivitetin rinor. Krimi është kryer nga njerëz të moshave dhe kategorive të ndryshme sociale, që jetojnë në zonat urbane dhe rurale.

Pafuqishmëria e institucioneve shtetërore është prezente sidomos në “legalizimin” e hakmarrjes (pasi nuk ka kanun të pranojë ngujimin e fëmijëve apo femrave). Shteti në vend të reagonte fuqishëm, mburrej me politikat dhe ndihmat që u jep familjeve të ngujuara. Është skandaloze kur shikoje ministra e deputetë që gjatë fushatave elektorale (edhe me vonë), pjesë të propagandës së tyre kanë edhe vizitat e premtimet te fëmijët e ngujuar. Jo “të nderuar/a” mjerimi nuk do mëshirë, por do vetëm të drejtë.

Vështirësitë në bashkëpunimin e agjencive ligjzbatuese për të ndërtuar një politikë proaktive me komunitetin, si rrjedhojë e trashëgimisë komuniste të “spiunit”, apo dekonspirimit të dosjeve të këtyre personave; kanë sjellë një pamundësi të njohjes në fazat fillestare të konflikteve dhe parandalimit tyre. Kultura e pandëshkueshmerisë e shoqëruar kjo me amnistitë e herëpashershme, faljet, uljet e dënimit, largimet e vrasësve në drejtim të paditur; ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në fenomenin e dhunës.

Prania mediatike bardhë e zi, që i bëhet ngjarjeve kriminale. Në lajm vihet në qendër shkelësi i ligjit, madje në disa raste paraqitet indirekt edhe si figurë simpatike. Kurse heroi i vërtetë ata që e kapën dhe e vunë para ligjit nuk duket, kurrkush nuk flet për të.
Mungesa e përgjegjësisë sociale, që na motivon të sillemi pa vlerësuar pasojat e veprimeve tona, nuk është vetëm papjekuri qytetare e mungesë formimi kulturor e familjar, por edhe prapambetje e gjithanshme dhe e trashëguar në zhvillimin tonë historik.

Gjithë këto vite shqiptari i thjeshtë jeton thuajse i braktisur nga idealet, nga besimi se ka një moral, ka një të drejtë, por këtë të drejtë e vendos vetëm Zoti dhe jo institucionet, për të cilat ai voton dhe paguan. Dhe atij, edhe pse beson në Zot, i thyhet besimi në tokë, te liria, drejtësia dhe se një ditë ky vend do të bëhet, siç qytetarët e tij besuan në fillim të viteve ’90 – si gjithë Evropa.
Kjo nuk është ndjenjë fataliteti, por shqetësim, i cili zë fill tek amnezia kolektive, humbja e kujtesës shoqërore se këto që ndodhin nuk po na ndodhin për herë të parë, si dhe detyrim në emër të të ardhmes të fëmijëve tanë.

Çdo gjë ndodh përballë nesh, në sytë tanë. Korruptimi i shpirtrave është më i rëndë se korruptimi financiar apo mitmarrja, por ne nuk jemi shqetësuar në kohë për këtë, ndaj dhe si çdo i vonuar i paguajmë më të renda kamat-vonesat, që asnjë amnisti nuk i fal.
Ne nuk kemi bërë atë që apeloi poeti i madh i demokracisë amerikane, Uollt Uitman, kur nxiti shtetasit e tij të “kundërshtojnë shumë dhe të binden pak”. Këto fjalë të arta të tij sot i takojnë çdo populli, çdo individi që kërkon cilësi me të lartë jete. Po ne shqiptarët, a kemi kundërshtuar dhe protestuar ne aq sa duhet, që të kishim një cilësi jete më të arrirë? Mendoj se jo. Jo, sepse shoqëria është e implikuar, por pasive; jo se është e papastër, por e papastruar, informale, gjysmë ilegale, jashtë institucionale, klanore dhe sado-mazokiste.

Sot nuk mund të mendohet zhvillimi i shoqërisë pa rregullin dhe drejtësinë sociale, të cilat mund të vendosen vetëm nga një lidership vizionar, që mendon jo vetëm për vete, jo vetëm për sot, dhe që arrin ta kuptojë se edhe njeriu, edhe paraja, edhe puna, edhe prona, edhe familja, edhe shoqëria, edhe kombi, edhe shteti kanë vlerë në një sistem me rregulla dhe barazi sociale para ligjit. Një sistem i tillë mund ta bëjë funksionale demokracinë, të kthejë respektin për njeriun, tolerancën për ekzistencën dhe nevojën e tjetrit, bindjen ndaj të vërtetës që nuk është monopol i askujt, përpjekjen për të rritur cilësinë e jetës dhe shpresën për të nesërmen e secilit dhe të të gjithëve.

Dilema ime më e madhe nuk është një luftë e humbur, por një luftë e pa kryer asnjëherë. Sikur të kishte luftë, qoftë ajo edhe e humbur, të siguron dëshirën për të fituar; pasi gjendesh sërish në betejë!

Dua të sjellë në kujtesë thënien e Presidentit Obama kur u nderua me Çmimin Nobel për paqen, se: “Është pa dyshim e vërtetë se zhvillimi rrallë mund të zerë rrënjë pa siguri. Por është gjithashtu e vërtetë se siguria nuk ekziston atje ku njerëzit nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, ujë të pastër, apo kushte mjekësore të nevojshme për të mbijetuar. Siguria nuk ekziston atje ku fëmijët nuk mund të aspirojnë për arsim të mirë, apo një punë që mbështet një familje. Mungesa e shpresës mund ta shkatërrojë nga brenda një shoqëri”; ndaj do t’i sugjeroja modestisht politikbërjes shqiptare t’i kushtoj rëndësinë që i takon sigurisë së jetës. Kjo duhet të përbëjë thelbin e një fushate të vazhdueshme, sipas motos “E drejta e jetës i jep jetë çdo të drejte”, jo thjesht e vetëm në tërheqjen e vëmendjes së opinionit për të vlerësuar shenjtërinë e jetës, por dhe në përpjekjet për të hartuar përmes një debati të gjerë publik e politik, një kuadër ligjor, pasuar me ngritjen e një trupe që do të jetë në gjendje të vlerësojë, vëzhgojë dhe denoncojë çdo rrethanë vrastare që kërcënon çdo ditë.
Pra dritë në fund të tunelit ka dhe unë besoj dhe shpresoj, por duhen vullnete të forta, kërkohet bashkëpunim dhe përcaktim i një ideologjie apo ideali që të dimë se ç‘kërkojmë dhe cila është sot, në shekullin XXI, dëshira e vërtetë e shqiptarëve, siç thotë Mahatma Gandi: “Qëllimi kryesor i jetës është të jetojmë me drejtësi, të mendojmë me drejtësi, të veprojmë me drejtësi”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb