Shumë i rëndë ka qenë momenti kur e ëma e Sokolit mësoi lajmin se djali nuk do mund të dëgjojë më. Ajo prit me ankth dhe shpresë përgjigjen nga mjeku austriak përgjatë gjithë muajve të verës. Shqiptarët grumbulluan paratë e nevojshme që djali të shkonte madje edhe në Vjenë por atje u mësua se fatkeqësisht Sokolit i mungonte nervi koklear që në lindje. Momentin kur mësoi lajmin e tregon vetë e ëma e Sokolit. Ajo thotë se djali është një dhuratë dhe ai tashme ka gjithë aftësitë e duhura të komunikimit më shenja për të “folur” më të.

“Në rastin e Sokolit kur e publikuam në emisionin ‘Shqiptarët për shqiptarët’ ne i bëmë të gjitha vizitat dhe kontrollet me mjekun austriak. E pata një shpresë se Sokoli do të bëhej si dy fëmijët e tjerë Rubeni dhe Endisi, por kur mjeku më tha se operacioni i Sokolit ishte shumë më i vështirë se dy fëmijët e tjerë aty më iku gjysma e shpresës. Mjeku na la një kohë tre muaj derisa të kryhej ndërhyrja por zemra po më thoshte sikur nuk do të kishte sukses pas asaj përgjigje. Në tre muajt e verës e kam pritur me shumë vështirë me padurim. Erdhi rezultati për jo mu duk krejt e papritur. Por falë Zotit djalin e kam mirë, më kupton me shenja, aftësitë i ka shumë të mira. Jam shumë e lumtur edhe me këtë dhuratë që Zoti më ka dhënë, unë do jem një mbështetje për të gjithë jetën. Sokolit i mungonte nervi koklear dhe pa këtë nuk e arrinte dot atë që kërkonte mjeku, operacioni do kishte funksionuar vetëm nëse ai do të kishte nervin koklear. Nuk i heq shpresat nga Zoti. Nuk i dihet jetës.
Një ditë djali më kërkoi kamer të vjetër. Ia bleva, e vendosi diku dhe më tha me shenja eja ulu, donte të fliste atje u preka shumë. I falënderoj shumë shqiptarët që bënë të pamundurën për Sokolin, që kontribuuan por ja që fati i djalit nuk ishte i mirë. I falënderoj shumë, unë nuk do të endem më nëpër dyert e spitaleve se do të bëhet diçka, shqiptarët ma hoqën këtë breng që kisha prej 5 vitesh. Do ta çoj djalin në shkollën e shenjave, por e kam biseduar edhe këtu tek shkolla, do detyrohem që dy herë në ditë ta çoj djalin në shkollën e shenjave. Është e vetmja shpresë për ne tani.
Dua të falënderoj mjekun Arvenolin që ndoqi djalin pa masë, ka qenë tepër i gatshëm, na ka qëndruar pranë, nuk u mërzit kurrë me ne, nuk më tha kurrë mos me shqetëso më në telefon. I jam shumë mirënjohëse mjekut”, tha nëna e Sokolit.

https://youtu.be/qBfXnKwys4k

BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb