TIRANE – Administrata tatimore po përgatitet të vërë në funksionim sistemin e ri informatik të deklarimit. Ky është një sistem modern, bashkëkohor, i avancuar dhe praktik në përdorim, që do të sigurojë ofrimin e një shërbimi më të mirë për tatimpaguesit dhe qytetarët.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sistemi i deklarimit elektronik, si pjesë e këtij sistemi, do të ofrojë risi në mënyrën dhe formën e deklarimit të detyrimeve tatimore, të trajtimit të deklaratave tatimore, përfshirjen e disa lloje të reja tatimesh që më parë nuk deklaroheshin në mënyrë elektronike. Gjithashtu ky sistem synon njohjen me situatën financiare të tatimpaguesve në sistemin tatimor dhe mënyrën e re të administrimit të faqes së kësaj administrate.

Zëvendësimi i sistemit ekzistues me sistemin e ri është një zhvillim shumë i rëndësishëm për administratën tatimore dhe marrëdhëniet e saj me tatimpaguesit. Për të njohur dhe bizneset me mënyrën e re të këtij sistemi administrata tatimore ka vënë në dispozicion video informuese mbi mënyrën e përdorimit të sistemit të deklarimit elektronik “E-Filing”. Ndër kohë, kjo administratë po përgatit edhe publikime të manualeve të reja të përdorimit.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: