Njëri prej pronarëve të servisit të automjeteve ku punoi për afro katër muaji shtetasi afgan në Shkodër ka hedhur poshtë faktin se i mituri është mbajtur me forcë në punë.

Lazër Pashuku, vëllai i të arrestuarit Alehandro Pashuku dhe të shpallurit në kërkim Kristjan Pashuku dhe babai i tyre Aleksandër Pashuku tregojnë se afganin e kanë mbajtur si të ishte njeri i familjes duke i dhënë bukë, ilaçe, para dhe duke e strehuar në banesën e tyre.

Pronarët e servisit ku u gjet afgani tregojnë se ai ka qenë tërësisht i lirë dhe ka lëvizur në gjithë qytetin i vetëm ose bashkë me punonjësit e tjerë sipas dëshirës. “E kemi takuar rastësisht në një lokal këtu afër dhe e morëm për ta ndihmuar duke qenë se ishte i uritur dhe i pastrehë.
Ai na tha se është 19 vjeç dhe jo 16 dhe se ka komunikuar lirisht çdo natë me familjen e tij”, deklarojnë ata.

  • foto galeri
  • foto galeri

Po ashtu Lazër Pashuku shprehet se të gjithë këtë afgani e ka bërë me qëllimin për të kërkuar azil dhe për t’u larguar tek familja e tij në Greqi.

Ata kanë vënë në dispozicion dhe foto e video të shtetasti afgan në shoqërinë e tyre në disa ambiente duke luajtur apo kënduar.

Pronari tregon se ka dashur ta ndihmojë që të largohet drejt Greqisë duke i dhënë para dhe ushqime për rrugën, por sipas tij afgani i ka kërkuar që të qëndrojë edhe dy muaj të tjerë për të punuar. Po ashtu babai i vëllezërve Pashuku, Aleksandër Pashuku shprehet se i ka hapur dyert e shtëpisë së tij duke fjetur aty dhe duke e trajtuar njësoj si djemtë e tij.

Familja Pashuku kërkon drejtësi për të arrestuarin Alehandro Pashuku dhe të shpallurin në kërkim Kristjan Pashuku duke thënë se nuk është e vërtetë se e ka trafikuar dhe se nuk ka patur asnjë lloj presioni, përkundrazi e kanë ndihmuar atë maksimalisht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb