Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pranishëm prej dy ditësh në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Valencia, e cilësoi këtë forum si ngjarjen më të rëndësishme politike në Europë, ku marrin pjesë liderë si kancelari Friedrich Merz, 14 kryeministra të vendeve anëtare, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ajo e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, si dhe një numër i madh eurodeputetësh dhe komisionerësh.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se në fjalën e tij para kongresit paraqiti “të vërtetën e trishtë të Shqipërisë”, duke e quajtur vendin “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”, të ndërtuar sipas tij nga kryeministri Edi Rama.
“Diskutova gjerësisht përpjekjet e Ramës për ta shndërruar procesin zgjedhor në një fasadë, si dhe për dhunën dhe terrorin politik që ai ushtron ndaj opozitës, vetëm për të siguruar mandatin e katërt,” deklaroi Berisha.
Ai njoftoi gjithashtu se PPE pritet të miratojë një tjetër rezolutë kundër qeverisjes së Edi Ramës – të katërtën brenda pesë muajsh – duke theksuar se Partia Demokratike gëzon mbështetje të plotë nga PPE dhe aleatët ndërkombëtarë në rrugën drejt integrimit europian.
Duke komentuar mbi rezultatet e forcave të qendrës së djathtë në Europë, Berisha u shpreh: “Pas 74 fitoreve të tyre, e 75-ta do të jetë ajo e PD në zgjedhjet e 11 majit.”
Ai i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të reflektojnë mbi raportet ndërkombëtare, përfshirë atë të fundit nga OSBE, duke i konsideruar si një apel për ndëshkimin e qeverisë aktuale dhe rikthimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend.
