Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me sulmin e ndodhur ndaj avokatit të njohur Sokol Mëngjesi, ish-Dekan i Fakultetit Juridik. Sokol Mëngjesi është edhe avokat i ish-kryeministrit Sali Berisha në çështjen e tij me drejtësinë, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e ish-Bllokut, aty ku avokati ka shtëpinë.

Tre autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar i kanë zënë pritë Mëngjesit pranë një kopshti, ku avokati kishte dërguar të birin dhe e kanë goditur me grushte e sende të forta në fytyrë dhe trup.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.

Gazetari Çelmeta raporton se Mëngjesi ende nuk ka dhënë deklarimet e tij, ndërsa po bën të gjitha ekzaminimet në spital.

Mësohet se ai ka fraktura në kokë dhe dertime në trup, por për momentin është në urgjencë në gjendje të stabilizuar. Sakaq, policia ka marrë në pyetje të gjithë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë, që ndodhi në një zonë të populluar.

Sokol Mëngjesi është avokat me përvojë disa vjeçare në jurisprudencë. Ai është angazhuar si ekspert në fushën e ndryshimeve ligjore nga institucione publike, të tilla si Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës.

Në shtator të vitit 2020, Sokol Mëngjesi u zgjodh Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Mëngjesi ka një përvojë të gjatë edhe në mësimdhënie, ndërsa është autor edhe i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe monografish e tekstesh shkollore në Shqipëri dhe Greqi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb