Emisioni Vetting në News24  ka trajtuar sot rastin e një edukatoreje, Mimoza Bidajt, ndaj të cilës është shkarkuar e gjithë “hakmarrja politike” e Kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës. Edison Memolla nuk ka nguruar që Bidajn me 39 vite eksperiencë në arsim ta largojë si drejtuese e një kopshti dhe si për të kujtuar kohët e vjetra, vendos ta tranferojë në Luz. As më shumë e as më pak një vendim që ngjan me ato “internimet” e kohës së diktaturës.

Mosbindja e Mimoza Bidajt si drejtuese e institucionit për vendosjen në dispozicion të të dhënave të stafit që ajo drejtonte, bëri që ndaj saj të nisnin një sërë lëvizjesh për të realizuar shkarkimin nga puna.


Për një udhëtim me stafin e saj, Bidaj vendos në dijeni, me datë 25.04. 2023, ZVA Rrogozhinë dhe drejtorin Fatmir Meçaj se me datë 28 të po këtij muaji mësueset do të ishin jashtë Shqipërisë pa të drejtë rroge.

Pikërisht në këtë datë zyra e arsimit kreu inspektim në këtë institucion duke konstatuar mungesën e 8 anëtareve të stafit dhe duke vijuar më tej me vërejtjet me shkrim.

Ajo e kundërshton këtë vërejtje përmes një kërkesë padie për shfuqizimin e kësaj mase disiplinore pranë Gjykatës Administrative të shkallës së Parë Durrës.

Padite
Padite

Në cilësinë e provës materiale, përmes përfaqësuesve ligjorë, drejtoresha ka dorëzuar audio përgjimin, duke nxjerr hapur edhe një herë presionin politik të ushtruar ndaj nënpunësve civil.

Bidaj mori edhe një tjetër masë disiplinore nga drejtoria në fund të muajit Gusht, pasi nuk arriti të kthehej në kohë në Shqipëri si pasojë e vonesës së avionit.

Ligjërisht kjo është një masë e drejtë. Paradoski është se po ky kryetar bashkie që merr masa ekstreme për një të tillë vonesë, vetë është i pamundur të gjendet në zyrën e tij.

Në këto kushte ende pa nisur trajtimi ligjor për këtë masë, me datë 14 shtator 2023, me firmë dhe vulë të kryetarit Memolla, Bidaj u shkarkua nga posti i drejtoreshës së kopshtit të Rrogozhinës duke u emëruar si edukatore në kopshtin Luz i Madh. Arsyeja e shkarkimit, që mbart në urdhër nënshkrimin e kryetarit të bashkisë, është “Lirimi nga detyra Drejtoreshës e Kopshtit për shkak të emërimit në kundërshtim me ligjin”. 

Lirimi Nga Detyra
Lirimi Nga Detyra

Por si mund të jetë një emërim i paligjshëm kur është kryer përmes portalit të mësuesve dhe përse zoti Memolla e zbuloi këtë 5 vite më vonë

Vetting ndoqi udhëzimin e zotit Memolla, duke iu drejtuar institucionit me një kërkesë për informacion lidhur me shkarkimet që janë bërë në administratë dhe emërimet e reja.  Përgjigja që morëm ishte:

PËRGJIGJA: “Përshëndetje, Ne lidhje me kërkesën tuaj për informacion ju informojmë si me poshtë: Ne Bashkine Rrogozhine është bere vetëm 1 largim ne kopshtin e Rrogozhinës. znj. Mimoza Bidaj është emëruar edukatore kopshti Luz i Madh. Emërimet i saj është bërë në ketë pozicion pas daljes në pension të edukatores së mëparshme. Aktualisht ne kopshtin Rrogozhine janë regjistruar 130 fëmije dhe 9 edukatore . Ne kopshtin Luz i Madh janë regjistruar 14 fëmijë te ndare ne 2 grupe te përziera dhe 2 edukatore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb