TIRANE- Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro mori pjesë sot, në takimin “Trajtimi i së kaluarës totalitare të Shqipërisë”.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “Shkrimi i historisë nuk është detyrë e politikës, por është detyrë e politikës të ndërtojë mekanizma financiarë dhe profesionalë që dëshmitë e kohës të mos vdesin, që dëshmitarët të mund të shprehen, që dokumentet arkivore të mos zhduken e ca më keq të transformohen apo të keqpërdoren, siç mos o zot janë përdorur duke na i tundur përpara hundës herë si lecka kutërbuese e herë si pisqolla”.

Kjo, tha Kumbaro, “është arsyeja pse vendosëm që Shtëpinë e Gjethit, siç është dhe vetë emri i kodifikuar i objektit në dosjet e Shërbimit Informativ Shtetëror, ta nxjerrim nga rutina e zyrave të rrënuara, siç e gjetëm në vitin 2014, ta restaurojmë, të shpëtojmë çdo dokument, pajisje dhe dëshmi, të hulumtojmë gjithë historinë e krijimit të këtij instrumenti terrori të diktaturës komuniste, të flasim me dëshmitarë të të gjitha roleve, nga ata që kanë mbetur ende gjallë, para se të jetë shumë vonë. Shkurt ta kthejmë në Muze të asaj cope të historisë që mbajti peng Shqipërinë dhe ne të gjithë, brenda psikozës vrastare të mureve që kanë vesh dhe të komshiut spiun”.

Takimi u zhvillua me praninë e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile, ku vëmendja u fokusua tek çeshtjet që lidhen me “Vendet e Kujteses”.

Ky është takimi i katërt që OSBE zhvillon në kuadër të punës për nxitjen e një dialogu kombëtar për të kaluarën komuniste të Shqipërisë. Aktiviteti ishte ideuar si një bashkebisedim mes të pranishmeve (përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare) për të prezantuar aktivitetet që janë duke u zhvilluar dhe ato që janë planifikuar për vitin në vazhdim, si dhe për të diskutuar mundësi bashkëpunimi mes palëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: