Presidenti i Kastrati Group Shefqet Kastrati bën thirrje për të gjithë shqiptarët që kanë mundësi të kontribuojnë për të lehtësuar sado pak tragjedinë që ka pllakosur vendin pas tërmetit. Presidenti i Albania Highway Concession deklaron se e ka dhënë në çast urdhrin e mos marrjes së asnjë kokërr leku nga askush që ka kaluar nëpër Rrugën e Kombit për ndihmë, ndërsa shprehet se bashkë me familjen kanë ndarë 1.5 milionë euro për familjet e prekura nga tërmeti dhe se e bën publik këtë donacion vetëm që t’i bëjnë thirrje atyre që kanë më shumë se të tjerët se sot nuk është të kursejnë.

Më tej Presidenti i Kastrati Group iu shpreh ngushëllime familjarëve që humbën të dashurit e tyre në këtë katastrofë.

“Tragjedia shqiptare më ka tronditur thellësisht mua dhe familjen time, bashkë me vëllezërit e mi. Jemi munduar të ndihmojmë e të lehtësojmë sa mundemi këto ditë. Si gjithnjë – pa zhurmë. E kam dhënë në çast urdhrin e mosmarrjes së asnjë kokërr leku nga askush që ka kaluar nëpër Rrugën e Kombit për ndihmë.
Pa bërë asnjë publicitet, sepse gjithmonë kam ecur me parimin: ‘Kur ndihmon një rob të Zotit në nevojë, duhet ta shohë veç ai lart!’.
Unë dhe familja ime kemi ndarë 1.5 milionë euro që kjo dhimbje e madhe që të lehtësohet sado pak.
Vendosëm ta bëjmë publik kontributin tonë për familjet e tërmetit vetëm që t’i bëjmë thirrje atyre që kanë më shumë se të tjerët: Kjo s’është dita të kurseje asgjë shqiptari që ka shumë për shqiptarin që ka humbur gjithçka! Ngushëllime familjarëve që humbën njerëz në këtë katastrofë dhe Zoti i Madh qoftë me Shqipërinë e plagosur!”, shprehet Presidenti i Kastrati Group.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb