Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, në fjalën e tij përpara qytetarëve në Tiranë dha shpjegimet e tij sesi mund të kemi një sistem shëndetësor më efikas në Shqipëri.
Shehaj tha se nëse në sistemin shëndetësor shqiptar nuk do të vidhej, së paku në Onkologjik do të kishim sot ilaçe. Sipas tij, babëzia për të vjedhur ka kolapsuar sistemin shëndetësor.
“Lexova një shkrim të një ekonomisti, që kishte përllogaritur mungesën e ilaçeve te Onkologjiku dhe thoshte se po të kishte 4 milionë euro më shumë në buxhet për ilaçet tek Onkologjiku do plotësoheshin të gjitha nevojat për ilaçe. E vlerësoj atë që ka shkruar atë shkrim. 4 mln euro nuk janë gjë fare në krahasim me çfarë vjedhin. PPT-të në shëndetësi prsh marrin miliona euro në mënyrë të padrejtë sepse shteti shqiptar iu paguan TVSH-në, ndërkohë që shërbimet shëndetësore janë të përjashtuara nga TVSH.
Thjesht duke ndaluar një shkelje ligji siç është pagesa e TVSH kundrejt koncesionarëve, në shëndetësi, do të nxirrnim lekët për ilaçet tek Onkologjiku. Nuk po them që shteti shqiptar do kishte para të mjaftueshme për shëndetësi falas për të gjithë. Përveç shtetit, duhet të ekzistojë edhe privati. Ekziston mënyra për të subvencionuar siguracionin privat prsh, që është mënyrë shumë e mirë për ulur ngarkesën që kanë spitalet shtetërore. Ilaçet në shtet vidhen, privatet janë totalisht monopol. E kanë mendjen vetëm të vjedhin. Duhet ndaluar vjedhja, që gjërat të rregullohen”, deklaroi Shehaj.
(Balkanweb)