Prindërit e ish-presidentit Hashim Thaçi e kanë përfunduar takimin me djalin e tyre, të cilin e vizituan në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Babai dhe nëna e Hashim Thaçit, që po i afrohen moshës 90-vjeçare, pas dy vjetësh mundën ta takonin sërish birin e tyre në paraburgim.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit, u shpreh i lumtur që e pa sërish djalin e tij.
“Jemi të lumtun që na u dha rasti me ardhë, me pa djalin tonë, Hashimin. Na ka marrë malli për të. Na merr malli, se jemi mësu me pa shpesh. Na mungon djali. Na mungojnë krejt shokët e tij. I mungojnë venit, Kosovës. Pa marrë parasysh që u kanë i nxanun me punë të shtetit, Hashimi gjithë ka gjetë kohë edhe ka ardhë me na pa në Burojë. Se na pleq, i kemi ba do vjet, mezi po himë e po dalim në kamë tona. Ishalla nuk shkon gat e kthehen tanë, jo veç djali jonë, po krejt këta shokët këtu, kthehen n’shpi të veta, qaty ku kanë punu shumë për qat Kosovë mu ba e lirë e shtet i pamvarun. I presim na familja me u kthy sa ma shpejt, i pret krejt shqiptaria. Ata e kanë venin n’Kosovë e jo këtu”, tha ai.
Më 21 maj, është një prej seancave më të rëndësishme të procesit gjyqësor në rastin ‘Thaçi dhe tjerët’, ku pritet të rishqyrtohet edhe kohëzgjatja e gjykimit dhe numri i dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Thaçi ka hyrë në vitin e katërt të qëndrimit në paraburgimit. Atje u dërgua që nga nëntori i vitit 2020, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.