Brendan Rogers, tekniku aktual i Celtic në Skoci, është një nga emrat e përfolur që mund të zërë vendin e Wenger në fund të sezonit, me francezin që ka vendosur të largohet nga ‘topçinjtë’ pas 22 vitesh.

Ish-tekniku i Liverpool në “Premier League”, në një intervistë të fundit ka deklaruar se për momentin nuk e ka në plan të rikthehet në Angli. Sigurisht që nuk hezitoi të komentonte edhe titullin e dytë radhazi me skuadrën skoceze, Celtic, të fituar dje pas një triumfi 5-0 në shtëpi kundër Rangers.

“U zgjova këtu, mëngjesin e së hënës, si trajner i Celtic dhe jam në punën më të mirë në botë, – tha ai për “Talksport”. – Besoni apo jo, qielli është blu këtu në Glasgow, unë absolutisht e dua këtë. Kam respekt të madh për Arsenalin, si klub. Kur fillova karrierën time si trajner, Arsene sapo hyri në klub dhe mësova kaq shumë në atë periudhë.

Pra, është një klub, për të cilin kam respekt të madh. Por, jam aq i lumtur këtu në Celtic. Jam në një punë, që e dua shumë. Është një klub i madh, me histori dhe presion të madh. Do të doja të punoja përsëri në ‘Premier League’, një ditë, por jo tani.

Shpresoj se do të stërvis edhe për 20 vite të tjera. Bordi drejtues ka qenë kaq mbështetës për mua këtu dhe, që nga dita e parë këtu, mbështetësit më kanë dhënë gjithçka. Ndiej një besnikëri ndaj tyre, për të siguruar që do të vazhdojmë të lëvizim me klubin përpara”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb