DURRES- Një pamje krejt tjetër nga ajo që ai kishte imagjinuar prej tri vitesh dhe që e kishte përshkruar në denoncimin e tij në polici. Vajza që shihni në foto është Enertila Beqja, e cila tashmë ndodhet pas hekurave, pas kallëzimit për mashtrim që bëri në polici 30-vjeçari Barush Ahmeti, drejtor poste në Manzë.

Ndonëse ajo akuzohet nga i dashuri i saj virtual se i vodhi 60 milionë lekë, pamjet e 27-vjeçares shfaqen krejt ndryshe. Shumë larg nga të qënit biondja e tij ‘Mona Liza’, imazhet e të resë brune shfaqen sot për herë të parë në kafazin e xhamit në Gjykatën e Durrësit, ku do t’i caktohet edhe masa e sigurisë, shkruan ‘BalkanWeb’. E veshur sportive, shihet se vajza qëndron e kërrusur dhe mban në këmbë atlete, por lidhëset i janë hequr për arsye sigurie. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për ‘BalkanWeb’ se vajza gjatë dëshmisë së saj ka mohuar kategorikisht që të ketë njohje me Barush Ahmetin, ndërsa shtoi se: “Nuk e njoh fare këtë person. Nuk kam kontakt me të”.

enrtila-beqaj-ne-burg

Pak pas arrestimit të Enertila Beqjas, dy të rinjtë u ballafaquan nga policia, ndërsa 30-vjeçari nuk e njohu vajzën. Ai tha se nga zëri i ngjante shumë, por pamja e saj nuk kishte lidhje me foton në “FB”. “Zërin e kanë të njëjtë, por nuk është vajza që flisja unë, sepse ajo më ka thënë se është bionde”, mësohet të ketë thënë Barush Ahmeti para hetuesve të çështjes.

enertila-beqaj-fallco

DËSHMIA E 30-VJEÇARIT NË POLICI
“Ne u njohëm në vitin 2015 në ‘Facebook’. Ajo më thoshte që ishte bionde e bukur dhe foto e saj e profilit ishte shumë e bukur. Pasi folëm disa herë, unë u dashurova pas saj. E kisha seriozisht, ishte vajza me të cilën do të martohesha. Më tha që jetonte dhe ishte emigrante në Itali dhe se familja e saj kishte disa vështirësi ekonomike. Që në fillim më kërkoi lekë. Ia kam nisur me ‘Westernënion’ 1 mijë euro në emrin e saj. Më pas më kërkonte lekë vazhdimisht, pasi më thoshte që donte të krijonte besim tek unë. Më thoshte se do të mi kthente paratë. Më pas i kam dërguar 10 mijë euro me ‘westernunion’, prej vitit 2015. Një herë tjetër më tha se ishte sëmurë dhe unë u nisa për në Itali. Kur shkova në Itali, më tha që të kthehesha sepse kishte ardhur në Shqipëri. Në Itali kam shkuar dy herë, i kam blerë dhe të brendshme me tyl. Pas kësaj, më thoshte që jetonte në qytet në Durrës, por prindërit nuk e linin të dilte jashtë, nuk e linin të takonte asnjë njeri. Më thoshte që e mbanin të mbyllur brenda katër mureve”, ka deklaruar në policinë e Durrësit, Barush Ahmeti. Gjithashtu, Ahmeti ka treguar se, “për të vërtetuar dashurinë time karshi saj, ajo vajza më tha se më Manëz kishte një teze, e cila ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe ekonomike. Në fillim u kam blerë kolltuqe dhe divane. Iu kam blerë e dërguar orendi shtëpiake herë pas here. Më thoshte se më donte, se ishte Monaliza ime dhe tezen e saj duhet ta ndihmoja. Unë mendoja se do të martohesha me të. Edhe drutë për t’u ngrohur në dimër, televizor, frigorifer, lavatriçe dhe çdo orendi shtëpiake ua kam blerë dhe ua çuar me paratë që më dërgonin vëllezërit nga emigracioni. Flisnim në telefon, ndërsa ajo më thoshte se do të mi shlyente të gjitha gjërat që bëja për të. Më thoshte se do të mi kthente lekët dhe do të martohej me mua. Punoja në fshat në punë shteti dhe njëkohësisht më dërgonin para vëllezërit që kam jashtë shtetit. Të gjitha paratë ia kam dhënë asaj që nga viti 2015 kur u njohëm. Ajo që mendoja se ishte e dashura ime donte dhurata të shtrenjta. Ia dërgoja lekët dhe i blinte. E doja nuse në shtëpi, por ajo më ka mashtruar. Kemi folur në ‘FB’ me mesazhe edhe në gjumë me njëri-tjetrin. Nga fotoja që shihja në ‘FB’ ishte shumë e bukur dhe shumë joshëse. Nuk e mendoja se do më bënte këtë gjë. Atë nuk e kam takuar asnjë herë. Më la kur më mbaruan lekët”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb