Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se është konfirmuar se shtetasi i Kosovës, Faton Hajrizi, është personi që është vrarë nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik.
Përmes një njoftimi për media, MPJD tha se autoritetet serbe më 22 korrik kanë dërguar tek autoritetet e Kosovës shenjat e gishtërinjve të një personi dhe se të njëjtat shenja, së bashku me shenjat e gishtërinjve të Hajrizit, janë dërguar për ekzaminim në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
“Pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës, ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, u tha në njoftim.
Hajrizi, i arratisur nga një burg në Kosovë, sipas autoriteteve serbe vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Pasi më 19 korrik, Serbia pretendoi se Hajrizi u vra, autoritetet kosovare kërkuan që të konfirmohet identiteti i personit të vrarë./Rel/