I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner ka mbyllur mandatin diplomatik në Shqipëri. Në një videomesazh të publikuar në faqen e ambasadës amerikane në Tiranë, Wisner shprehet se të shërbente në Tiranë ka qenë moment i veçantë për karrierën e tij si dhe për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Wisner thotë se në Shqipëri gjeti mirëpritjen ai dhe familja e tij gjë të cilët siç shprehet ai, do ta kujtojë gjithmonë.
Gjatë mandatit të Wisner, Shqipëria u vizitua nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, një vizitë kjo e rëndësishme dhe që erdhi në një moment kur situata në Lindje të Europës vijon të jetë konfliktuale dhe me rrezik pericipetimi. Ndërsa ndërveprimet mes Shqipërisë dhe SHBA-së sa vijnë dhe intensifikohen në funksion të ndërtimit të një marrëdhënie të shëndoshë.
“Përshëndetje, unë jam David Wisner dhe jam i Ngarkuari me Punë këtu në Ambasadën e SHBA në Tiranë. Ka qenë kënaqësia ime e madhe që kam shërbyer këtu në ambasadë dhe me popullin shqiptar që prej vitit të kaluar. Do ta kujtoj gjithmonë mirëpritjen e përzemërt dhe të ngrohtë që më është ofruar këtu. Ishte një nder i veçantë të mirëprisja Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, si dhe aktorin e aktivistin RJ Mitte dhe një larmi të madh vizitorësh amerikanë nga sektori i drejtësisë tek ai ushtarak, si dhe nga fusha e ekonomisë. Ka qenë një vit intensiv në ndërtimin e kësaj marrëdhënie të mrekullueshme. Dua t’ju falenderoj për bujarinë e jashtëzakonshme që i keni treguar familjes sime dhe mua“, thotë në mesazhin e tij Wisner.
Diplomati amerikan ka rrëfyer edhe përjetimet e tij gjatë një viti shërbim në vendin tonë, nga entuziazmi për kombëtaren e futbollit, bukuritë turistike apo edhe kuzhina shqiptare.
Por çfarë tradite shqiptare do të marrë me vete David Wisner?
David Wisner: “Pasioni i pabesueshëm që ka Shqipëria për ekipin e saj të futbollit. Do të bëj tifo për ekipin “Kuq e Zi” kudo që të shkoj”.
Cili vend në Shqipëri të është dukur si shtëpia jote?
David Wisner: Epo, unë me zemër jam një djalë nga fshati. Pra, vendi im i preferuar ishte kampingu në Dibër. Dhe më pëlqeu shumë të bëja rafting në Përmet.
Ndërsa vajza e vogël e Wisner ka mbresa nga qyteti i Vlorës: “Kishte plazhe shumë të bukura”.
Kuzhina shqiptare dhe kombinimi i tradicionales me mesdhetaren është ajo që do t’i mungojë diplomatit amerikan.
David Wisner: Më pëlqeu shumë peshku i freskët këtu, në veçanti koca e freskët.
Por cila ishte sfida më e madhe me të cilën Wisner u përball në Shqipëri?
David Wisner: Sfida më e madhe me të cilën u përballa këtu, ishte që kisha vetëm një vit shërbim. Sa do të doja të kisha pak më shumë që të kisha vizituar më shumë këtë vend të mrekullueshëm. Por, e konsideroj veten shumë me fat për aq sa pashë.
Nancy VanHorn do të jetë pasuesja e Wisner si e Ngarkuar me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë. David Wisner ka një këshillë për të: “Pasardhësja ime, Nancy VanHorn, do të mbërrijë së shpejti dhe e di që ajo do ta dojë Shqipërinë po aq sa unë. Këshilla që dua t’i jap është të vazhdojë punën e rëndësishme që kjo ambasadë po bën për të ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara në këtë rrugë demokratike, duke ndërtuar lidhje me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe duke ndërtuar lidhje më të mëdha ekonomike mes dy vendeve tona në dobi të dy popujve tanë. E di që ajo do të kalojë një kohë të shkëlqyer gjatë punës këtu. Dhe e di që kjo ambasadë vërtetë pret me padurim të ndërtojë më tej mbi këto suksese të mëdha. Faleminderit Shqipëri! Faleminderit të gjithëve për kujtimet e pabesueshme që i keni dhënë familjes sime dhe mua. Derisa të takohemi përsëri, mirupafshim”!
(BalkanWeb)