TIRANË

Analisti Agron Gjekmarkaj thotë se duhet vullnet politik për të krijuar klimën e besimit mes palëve. I ftuar në “Real Story” në News24, Gjekmarkaj kujtoi ‘çunat problematikë’, një term i dalë nga përgjimet e për vjedhjen e zgjedhjeve dhe tha se nëse çohen çunat problematikë bie gjithë ngrehina e reformës zgjedhore.


“Për votën e shqiptarëve nëpër botë, nuk di të ketë një referencë të opozitës që të jetë kundër. Përkundrazi opozita ka kërkuar që të votojnë emigrantët.


Nuk është bojkotuar nga përfaqësuesit e opozitës tryeza e reformës zgjedhore. Thelbi i çdo gjëje, se ne vërtetë e veshim me retorikë, të mos aktivizohen çunat problematikë në zgjedhje në Dibër, Shijak, në Lezhë, në Shkodër…Vullneti politik për të krijuar klimën e besimit. Mund të bëjnë një reformë zgjedhore perfektë por nëse çojnë çunat problematikë bie gjithë ngrehina e reformës zgjedhore dhe gjithë diskursi që ne bëjmë është kot, pesë me hiç. Atëherë është e kotë t’i lëmë fajin Europës me parimin që ‘është hallall me rrejt kaurin’. Nuk e rreni dot Europën mor zotëri se i ka sytë dhe veshët këtu dhe ju sheh”, deklaroi Gjekmarkaj.


(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb