TIRANE

Në procesin ndaj katër të dyshuarve për vrasjen e të riut Marvi Mihali, gjykata e Tiranës dëgjoi dëshmitë e protagonistëve të ngjarjes së rëndë.

Armend Haxhiu shpjegoi përpara trupës gjykuese, se ishte ai që i shiti telefonin të pandehurit Dejvi Birtraj, por nuk i dorëzoi karikuesin e për këtë arsye pati debate mes tyre. Për t’u sqaruar ai tha se kërkoi ndihmën e Marvi Mihalit, i cili u vra krejt pafajësisht, pa patur asnjë lidhje me konfliktet e mëparshme mes grupeve të të rinjve.

“Në 27 korrik i shita një celular Dejvi Bitrajt, duhet t’i dorëzoja edhe karikuesin. Duke qenë me punë në Spille, u ktheva dy ditë më vonë. Ne nuk ishim sqaruar për cështjen, ndaj Dejvi me fyeu dhe u ndjeva i poshtëruar. E lamë të takoheshin dhe unë telefonova Marvin dhe i kërkova të vinte me mua. Në vendin që kishim caktuar erdhi Devis Bitraj. Ishte i nxehur. Kisha vendosur do i jepja lekët për kërkuesin, por u ndjeva nën tension. Më shau nga familja dhe unë e godita me grusht. E kam gjetur veten pastaj tek fundi i rrugës, isha duke u rrahur me çunat, më qëllonin vazhdimisht”, tha dëshmitari.

Përmes dëshmisë së tij ai la të nënkuptohej se personat me të cilët ai ishte në konflikt ishin organizuar dhe qëndruan në pritje.

Xhulio Mema nxori detaje të reja në dritë, kur foli për një person sipas tij i veshur me bluzë të bardhë, që i kërcënonte se do ti vriste të gjithë. Ai tha se nga grupi tjetër, dy persona mbanin thika në duar, porse një gjë të tillë nuk e ka deklaruar më herët, pasi i është bërë presion nga oficerët e policisë gjyqësore.

Gjykata dëgjoi edhe rrëfimin e kushëririt të viktimës. Joslin Shota shpjegoi momentin kur u godit për vdekje studenti 22-vjecar.

“Marvi nuk ka ditur asgjë se përse do shkojmë, ne arritëm të parët tek vendi i ngjarjes, dhe pritëm aty. Dejvin e pashë më thikë flutur në dorë ai qëlloi Marvin me thikë. Unë kisha ngrirë. lajmërova ambulancën, pastaj kam kapur Marvin që ishte i shtrirë në tokë, pasi ishte goditur me thikë, e kanë qëlluar edhe me shqelma, Marvi është djali I hallës time”, përfundoi ai.

Gynter Jaupi u shpreh se grupi i Bitrajve i kërcënoi të gjithë duke u thënë se “do tju therim të gjithëve”. Ai tha se Marvi Mihali u vra pasi ndërhyri për të ndarë sherrin. Për vrasjen e Marvi Mihalit të pandehur janë marrë katër persona, kushërinjtë Dejvi dhe Eugen Bitraj si dhe vëllezërit Marsel e Kridens Alla, ndaj të cilëve rëndon akuza e vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: