TIRANE- “Kryeministri Edi Rama nuk duhet të fliste fare për ngjarjen që ndodhi në Bularat. Siç veproi kryeministri Tsipras. Deklarata ishte e nxituar”.

Kështu deklaroi Arjan Curri, pedagog i UET, i cili komentoi sot ngjarjen e rëndë që ndodhi të dielën në Bularat të Gjirokastrës ku pas një shkëmbimi zjarri me forcat speciale RENEA mbeti i vrarë minoritari grek Konstandinos Kacifas.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Curri pohoi se deklarata e kryeministrit ishte shumë e nxituar, ndërsa shtoi se me kalimin e ditëve tonet dhe reagimet u zbutën.

“Agresori dikur ka qenë viktimë. Njerëz të tillë duhet të shihen me keqardhje kur bien në këto radikalizma. Kryeministri Edi Rama nuk duhet të fliste fare për ngjarjen që ndodhi në Bularat. Siç veproi kryeministri Tsipras. Deklarata ishte e nxituar. Deklarata të tilla nuk duhen, duhet të distancoheshin. Mendoj se gjerat janë më normale dhe shumë shpejt kjo histori do të kalojë si të gjitha të tjerat. Ky proces mund të ndikonte më shumë mes nxitimit të deklaratave që bënë institucionet. Ranë në një lloj kurthi që krijoi ky i ri i radikalizuar. Më shumë duhet të kenë kujdes zyrtarët, që bien pre e kurthit. Deklarata e Pangalos që tha; “S’jam dakord me asnjë të çmendur që qëllon mbi policinë”, ishte gjë e mirë. Lajmi i mirë është se forcat RENEA e kanë të filmuar aksionin, por nuk mund të bëhet i ditur për publikun. Ata s’mund të nxjerrin filmimin që bënë. Brenda deklaratës së policisë ishte gjithçka e qartë, ndërsa video tregoi edhe situatën, ku shihej Konstandinos që qëllonte drejt. Aty kishte edhe fëmijë. Ngjarja nuk është mbyllur akoma. Gjithë diskursi mund të jetë; nuk na respektojnë të drejtat, nuk na japin pronat. Reagimin e politikës shqiptare e kam parë konstruktive. Siç ishte thirrja dy herë e ambasadores shqiptare në Greqi në Ministrinë e Jashtme greke. Ndaj në këtë rast kemi filluar të respektojmë veten. Të kërkojmë të drejtën kombëtare dhe ligjin”, tha Arjan Curri.

DEKLARATA E RAMËS DITËN KUR NDODHI NGJARJA
“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste?????”, shkruante Rama.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb