Lumë reagimesh ka shkaktuar vrasja e djeshme e minoritarit grek pas një përplasje me policinë në Bularat të Gjirokastrës. Përmes një deklarate për shtyp organizata politike e Minoritetit “OMONIA” e ka cilësuar vrasjen e Kostandinos Kacifas një ‘ekzekutim të ftohtë’.
Teksa ka dënuar ngjarjen e rëndë, Omonia akuzon policinë shqiptare se kjo e fundit nuk i është përmbajtur rregullores, ndërkohë që nuk ka lënë pa shigjetuar edhe qeverinë shqiptare për prodhimin e ‘klimës së dhunës’, sipas tyre kundër minoritetit.
“Dëshpërim për ekzekutimin e Konstandinos Kacifas. Shqetësim për minoritetin grek të Shqipërisë pas ngjarjes se rende dhe propagandës se thellë anti-helene. ‘Trishtim dhe indinjate e thelle’ janë ndjenjat tona pas përfundimit të operacionit policor ku mbeti i vdekur Kostandinos Kacifas. Sipas vlerësimeve të para, policia injoroi rregulloren e izolimit të një personi të vetëm duke e ekzekutuar. Është e rëndësishme te theksojmë faktin se këto ndodhën ndërsa në Bularat zhvillohej ceremoni përkujtimore me përfaqësi zyrtare diplomatike dhe qeveritare nga të dy vendet. Mesa duket nuk bëhet fjalë vetëm për shkeljen e të drejtës bazë të njeriut por dhe të jetës. Por është një klime e tërë psikologji e dhunës në kurriz të minoritetit. Urojmë forcat policore që zbritën nga Tirana të mos jenë ndikuar nga klima anti-helene që propagandohej nga minutat e para të debatit të Kostandinos Kacifas me policinë lokale. Apo nga thirrjet e menjëhershme të partive dhe organizatave anti-helene, apo dhe nga përpjekja e madhe e Tiranës të ndryshojë axhendën. Mesazhi që i dhanë minoritetit dhe të ftuarve në ditën e sotme është, fatkeqësisht, i hidhur. Ne, Omonia, vazhdojmë të denoncojmë padrejtësinë, nga tensioni frymëmarrës i medias që fatkeqësisht hedh benzine zjarri”, -thuhet në deklaratën e OMONIA-s.
(ed.me/BalkanWeb)